Social Buzz

Pse Threads po shkarkohet kudo, përveç vendeve të BE-së?

Shkruar nga Anabel

7 Korrik 2023

Pse Threads po shkarkohet kudo, përveç vendeve të BE-së?

Aplikacioni i ri i Meta-s, Threads, i cili pritet të bëhet rivali numër një i Twitter-it që po has vështirësi nën udhëheqjen e Elon Musk, mund të shkarkohet nga kushdo në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar e në shumë vende të tjera në botë, përveç Bashkimit Europian. Pse?

Threads nuk po funksionon ende në BE dhe mund të mos funksionojë kurrë, pasi BE-ja ka rregulla më të rrepta në lidhje me privatësinë e përdoruesve. Aktualisht, BE nuk e ka bllokuar aplikacionin, por kompania Meta po tregohet paraprakisht e kujdesshme.

Aplikacioni është përshkruar si një "makth për privatësinë" nga ekspertët e teknologjisë sepse, pavarësisht se është një aplikacion i pavarur, ai importon të dhëna personale nga Instagrami.

Përdoruesit e Threads informohen se aplikacioni do të mbledhë një gamë të gjerë të të dhënave të tyre duke përfshirë informacione shëndetësore dhe financiare, historitë e shfletimit, vendndodhjen, blerjet, kontaktet, historikun e kërkimit dhe informacione të tjera.

Në BE, ky lloj komunikimi ndërmjet platformave të rrjeteve sociale ka qenë i ndaluar.

Në janar, Meta u gjobit me mbi 377 milionë euro për mungesë të një baze ligjore të vlefshme sipas Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së (GDPR) për të shfaqur reklama në Facebook dhe Instagram.