Kush është në grevë?
Greva u njoftua të enjten në mëngjes nga sindikata e aktorëve të SHBA-së, Sag-Aftra. Sag-Aftra ka rreth 160,000 anëtarë: aktorë në filma dhe shfaqje televizive, si dhe interpretues të video-lojërave, prezantues në radio, modele dhe influencues në YouTube. Teknikisht, sindikata mbulon vetëm SHBA-në, por rregullorja kërkon që anëtarët të tërhiqen nga çdo prodhim kudo në botë.
Kush e udhëheq Sag-Afra?
Presidentja dhe figura e sindikatës është Fran Drescher, të cilën mund ta mbani mend nga emisioni televiziv i viteve '90, “The Nanny”.
Çfarë kërkon Sag-Afra?
Një nga rolet kryesore të sindikatës është të negociojë kushtet me studiot e prodhimit të filmave dhe serialeve. Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes duket se janë pagesat që aktorët marrin për shfaqje të përsëritura të filmave ose shfaqjeve televizive. Një tjetër çështje e rëndësishme është se kush përfiton nëse inteligjenca artificiale krijon një personazh që ngjason me një aktor.
Negociatorët e Sag-Aftra po kërkojnë pagesa shtesë pjesërisht të bazuara në nivelet e shikueshmërisë në shërbimet e transmetimit, por studiot - të cilat përfshijnë Netflix dhe Amazon së bashku me Disney - nuk janë të gatshme të ndajnë informacionin.
Kush e mbështet grevën?
Kërkesat e tyre janë nënshkruar nga emra si Meryl Streep, Jennifer Lawrence, Charlize Theron, Joaquin Phoenix, Jamie Lee Curtis, Olivia Wilde, Ewan McGregor, George Clooney, Mark Ruffalo etj.
Aktorët të tjerë janë Robert Downey Jr., Matt Damon, Florence Pugh, Emily Blunt, Rami Malek dhe Kenneth Branagh, të cilët ishin të gjithë të pranishëm në premierën e “Oppenheimer” kur filloi greva. Ata u larguan menjëherë kur filloi greva. Deri tani duket se nuk ka pasur pengesa – të gjithë aktorët amerikanë i përkrahin kërkesat.
Po në lidhje me inteligjencën artificiale?
Gjashtë muaj më parë, askush nuk e mendonte inteligjencën artificiale, por gjërat kanë ndryshuar me shpejtësi. Studiot kanë propozuar që aktorët figurantë të skanohen, të paguhen për një ditë pune dhe kompania të zotërojë skanimin, imazhin dhe ngjashmërinë mes tyre dhe ta përdorë për çdo projekt që dëshiron. Propozimi nuk është mirëpritur nga Sag-Afra.
Cilat janë efektet e menjëhershme të grevës?
Përveç anulimit të shumicës së xhirimeve, aktorët nuk do të promovojnë shfaqjet dhe filmat që kanë bërë. Ata nuk do të postojnë asgjë promovuese për projektet në kanalet e tyre në rrjetet sociale. Çdo intervistë për shtyp ose në radio është anuluar.
Efekti do të ndihet në festivalet e filmit në vjeshtë - Venecia, Telluride dhe Toronto. Të tre varen nga fuqia e yjeve të pranishëm nëpër premiera për t’i promovuar. Pra, mendojini festivalet pa aktorët e famshëm në tapet të kuq, pa intervista dhe pa gazetarë. Për shembull, filmi “Ferrari” i Michael Mann mund të shfaqet, por pa yllin Adam Driver.
Bradley Cooper është skenarist, producent, regjisor dhe aktor në filmin biografik të Leonard Bernstein, “Maestro”. Bazuar te greva, ai mund të promovojë filmin si producent dhe regjisor, por do të duhet të refuzojë t’i përgjigjet çdo pyetjeje në lidhje me skenarin dhe performancën e tij.
Në këto kushte, pritet që studiot të kërkojnë të ulen në tavolinë me Sag-Afra për të negociuar kontratat.