Nuk e dimë nëse ka dikush prej jush memorie elefanti, por rreth 7 vite më parë, Flor Mumajesi dhe Venera Lumani kanë bërë një debat në “E diela shqiptare”. Asokohe, Venera i kërkoi llogari Florit se përse kishte futur muzikë dhe këngë turbo folk në tregun shqiptar dhe Flori ia ktheu: “Do të të vijë koha edhe ty”.
Mesa duket, koha, sipas Florit, erdhi dhe ai ka reaguar duke publikuar videon dhe duke shkruar në mbishkrim: “Është faji im apo çështje kohe?”, (mendojmë se) referuar këngës së re të Venerës dhe Lindit, “Zemra, zemra”.
Në videon e publikuar nga Flori, debati ishte paksa me tone ironike dhe i ashpër.
“Unë në fakt, doja t’i bëja vetëm një pyetje Florit. Kam dëgjuar shumë këngë të bukura nga Flori, pse duhet të bësh këngë aq të mëdha, por edhe këngë limonadë, deri diku, futur me këtë turbo folkun brenda?”, e pyeti Venera.
Flori iu përgjigj: “Për mua, muzika nuk është një ekuacion i saktë. Unë bëj muzikë për çfarë ma ndien shpirti. Unë, këtë muzikën limonadë që thua ti, e dua”.
Venera këmbënguli, duke i kërkuar llogari se pse e futi këtë muzikë dhe Flori ia ktheu që nuk e ka futur ai në treg.
“Unë jam Venera dhe deri tani kam kënduar këngë “të pastra”, tha këngëtarja dhe kantautori ia ktheu: “Do të të vijë koha edhe ty”.
“E di sa kam parë si ty unë, Venera? Që bëjnë moral dhe ikin këndojnë nëpër dasma?”, shtoi Flori me ironi.
Epo, hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë dhe Flori po që paska super kujtesë, sepse është edhe Virgjëresha...Fati i keq i Venerës. :(