Planeti

Korriku 2023, muaji më i nxehtë i regjistruar në histori: ‘Po nis epoka e vlimit global’

Shkruar nga Anabel

28 Korrik 2023

Korriku 2023, muaji më i nxehtë i regjistruar në histori:

Korriku pritet të jetë muaji më i nxehtë i regjistruar për planetin. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëroi se "epoka e ngrohjes globale ka mbaruar, është koha për epokën e vlimit global".

"Nuk kemi nevojë të presim deri në fund të muajit për ta zbuluar. Nëse nuk ka një mini epokë akullnajash në ditët në vijim, korriku 2023 do të thyejë të gjitha rekordet,” u tha Antonio Guterres gazetarëve në New York.

"Ndryshimi i klimës është këtu. Është i tmerrshëm. Dhe ky është vetëm fillimi. Epoka e ngrohjes globale ka mbaruar, tani është koha për epokën e vlimit global," shtoi ai.

"Për pjesë të mëdha të Amerikës së Veriut, Azisë, Afrikës dhe Europës, kjo verë është mizore. Për të gjithë planetin, është një fatkeqësi".

“Pasojat janë të qarta dhe tragjike: fëmijë të prekur nga shirat e musonit, familje që ikin nga flakët, punëtorë që humbin ndjenjat nën vapën përvëluese,” shtoi Guterres .

Përballë kësaj situate katastrofike, ai përsëriti thirrjet për veprim radikal dhe urgjent, duke sulmuar edhe një herë sektorin e karburanteve fosile.

"Ajri është i padurueshëm, nxehtësia është e padurueshme dhe nivelet e fitimeve nga lëndët djegëse fosile dhe mosveprimi klimatik janë të papranueshme", tha ai.