Nëse keni planifikuar një udhëtim për pushime apo tek familjarët tuaj dhe duhet të kaloni nga aeroporti “Nënë Tereza”, Tirana International Airport (TIA) ka nxjerrë një udhëzim të ri për qytetarët.
Deri në datën 10 shtator, ju duhet të paraqiteni tre orë para për të bërë check-in, përpara nisjes drejt destinacionit tuaj. Në njoftim kërkohet të merret parasysh koha e mundshme shtesë që nevojitet për kontrollin e bagazheve, sigurisë dhe çdo rrethanë të paparashikuar.
Njoftimi i plotë i TIA-s:
“Tirana International Airport dëshiron t’ju informojë për një përditësim në lidhje me procesin e check-in dhe sigurisë në Tirana International Airport (TIA) nga sot deri më 10 shtator. Për të siguruar udhëtim të qetë dhe për të akomoduar pasagjerët e shtuar gjatë kësaj periudhe, do t’iu kërkonim të gjithë pasagjerëve të mbërrijnë në aeroport të paktën 3 (tre) orë përpara kohës së planifikuar të nisjes.
Ju lutemi, merrni parasysh kohën e mundshme shtesë që kërkohet për kontrollin e bagazheve, kontrollet e sigurisë dhe çdo rrethanë të paparashikuar që mund të zhvillohet.
Kjo masë synon të përmirësojë përvojën e përgjithshme të udhëtimit për të gjithë pasagjerët. Si gjithmonë, siguria dhe komoditeti juaj mbeten prioritetet tona kryesore.
Duke mbërritur herët, ju na lejoni të kryejmë procedurat e nevojshme me shpejtësi dhe efikasitet. Faleminderit për bashkëpunimin dhe presim t’ju shërbejmë gjatë udhëtimit tuaj nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës”.