Temperaturë dhe kollë që ngatërrohen me një virozë të zakonshme të stinës? Ndryshimi i temperaturave, uji i ftohtë, frekuentimi i plazheve dhe pishinave, dyndja e turistëve e shumë faktorë të tjerë mund të ndikojnë që simptomat e ngjashme me Covid-in të shfaqen edhe tek ju.
Në këtë valë të lehtë infektimesh nga Covid që ka prekur edhe Shqipërinë, më të rrezikuarit janë fëmijët. Këtë e konfirmojnë mjekët në disa qendra shëndetësore në kryeqytet, si edhe drejtoresha e pavionit të Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Gjeorgjina Kule.
E kontaktuar direkt nga Anabel, mjekja u shpreh se: “Aktualisht në Pediatri janë dy fëmijë të shtruar me Covid. Situata me numrin e shtrimeve në spital në këtë periudhë nuk është në nivele alarmante, por kujdesi nuk duhet harruar sepse Covid-i nuk është zhdukur. Prindërit duhet të sensibilizohen se nëse fëmija i tyre ka shenjat klinike të një viroze normale, por që zgjat disa ditë të drejtohen tek mjeku specialist për ekzaminime të mëtejshme”.
Mjekët bëjnë thirrje për kujdes në respektimin e masave të higjienës, pasi me afrimin e vjeshtës ka mbivendosje të virozave të stinës që po qarkullojnë në masë këtë periudhë.
Simptomat e Covid-it tek fëmijët
Fëmijët kanë simptoma të lehta të tilla si ethe, sekrecione ose kollë. Këto simptoma janë të ngjashme me gripin ose ftohjen e zakonshme. Nëse dyshoni se fëmija juaj mund të ketë virusin, mbajeni të izoluar, që të shmangni përhapjen e virusit tek persona të tjerë, veçanërisht grupmoshat më të rrezikuara siç janë të moshuarit.