Të paktë janë ata personazhe të famshëm që kanë pranuar hapur të flasin për ndërhyrjet plastike, fillersat, botoksin e shumë trajtime të tjera kundër plakjes. Ariana Grande doli kundër rrymës dhe pranoi të flasë publikisht gjatë një rubrike bukurie për revistën “Vogue”.
“Transparencë e plotë nga një njeri në botën e bukurisë, kam bërë shumë ‘filler’ në buzë dhe botoks. Ndalova në 2018 sepse më dukej e tepruar. Doja të fshihesha. Nuk i mendoja ndonjëherë ndërhyrjet”.
Teksa fliste në video e emocionuar dhe e përlotur, artistja nuk e fshehu raportin e saj me bukurinë në një rrëfim krejt të veçantë dhe të sinqertë. “Kur je 17 vjeç, ti nuk di mirë shumë gjëra. Me kalimin e viteve, e përdora grimin si maskim, ose për t’u fshehur pas. Marrëdhëniet tona me bukurinë janë shumë personale. Ne jemi këtu dhe po flasim për sekrete bukurie. A nuk është sekreti që të gjithë duam të ndihemi sa më mirë dhe të na duan”?
Ylli i “Wicked” rrëfeu se nuk është kundër injeksioneve përsëri në të ardhmen, por tani për tani, ajo dëshiron të përqafojë “rrudhat e natyrshme të buzëqeshjes”.
“Për një kohë shumë të gjatë bukuria për mua ishte të fshihesha, tani ndiej që ndoshta jo. Ndoshta do t’i bëj prapë një ditë, s’e di. Secili e di vetë. Çfarëdo që ju bën të ndiheni bukur, e mbështes. Por, unë dua të shoh rrudhat që kam fituar nga të qeshurat dhe të qarat. Uroj që rrudhat e buzëqeshjeve të thellohen dhe të qesh shumë edhe më shumë. Mendoj se plakja mund të jetë diçka e bukur. Tani, a do bëj një tërheqje fytyre pas 10 vjetësh? Ndoshta, po. Por këto janë thjesht mendime”.