Marrëdhënia mes Bruna Biancardi-t dhe Neymar ka qenë objekt i vëmendjes mediatike për shkak të distancës që i ndan shpesh si edhe ngjarjeve që kanë përfshirë raportin e tyre. Së fundmi, Bruna duket se publikoi një mesazh të fshehtë në Instagram, i cili bëri që ndjekësit të spekulojnë për statusin e marrëdhënies së saj me futbollistin.
“Nëse nuk je besnik ndaj atyre që janë pranë teje çdo ditë, nuk do të jesh besnik ndaj askujt” shkruhet në postim.
Shprehja nxiti menjëherë spekulime nëse Biancardi po dërgonte një mesazh të fshehtë apo po bënte një reflektim personal mbi besnikërinë në marrëdhënien e saj me Neymar.
Kujtojmë se postimi i dyshimtë vjen 3 muaj pas aludimeve të shumta se Neymar tradhtoi Bruna-n, e cila është shtatzënë, me një influencuese nga São Paulo. Thashethemet u përhapën me shpejtësi në internet, ndonëse nuk kishin një zanafillë konkrete. Më pas, futbollisti publikoi një foto me partneren dhe një ndjesë publike, ku u shpreh:
“Bru,
Unë e bëj këtë për ty dhe familjen tënde. Të justifikosh të padrejtën, nuk ishte e nevojshme, por unë kam nevojë për ty në jetën time. E pashë sa shumë ishe e ekspozuar, sa shumë vuajte gjatë gjithë kësaj dhe sa shumë dëshiron të jesh pranë meje. Dhe unë pranë teje.”
"Rrezikoj të them se dështoj çdo ditë, brenda dhe jashtë fushës. Vetëm se unë i zgjidh gabimet e mia në jetën time personale në shtëpi, në intimitetin tim me familjen dhe miqtë e mi. E gjithë kjo goditi një nga njerëzit më të veçantë në jetën time. Gruaja që ëndërroja të ecte pranë meje, nëna e fëmijës tim. Të preku ty në një moment kaq të veçantë, siç është mëmësia,” shtoi më pas.
Ai nuk specifikoi konkretisht se për çfarë po kërkonte ndjesë:
“Bru, tashmë të kam kërkuar falje për gabimet e mia, për ekspozimin e panevojshëm, por ndihem i detyruar ta them publikisht këtë. Nëse një çështje private është bërë publike, falja duhet të bëhet publike. Nuk mund ta imagjinoj veten pa ty. Nuk e di nëse do të funksionojë, por SOT jam i sigurt që dua të provoj.” “Qëllimi ynë do të mbizotërojë, dashuria jonë për fëmijën tonë do të fitojë, dashuria jonë për njëri-tjetrin do të na forcojë. Përgjithmonë ne."
Marrëdhënia e tyre nuk ka qenë e qetë që prej fillimit. Në gusht të 2022-shit, Bruna dhe Neymar njoftuan fansat se i kishin dhënë fund marrëdhënies, pas fejesës së tyre. Asokohe u tha se 27-vjeçarja u nda nga Neymar sepse ky i fundit e kishte tradhtuar, por ajo i mohoi aludimet.
Ata janë në pritje të një vajze.