Shtëpia e Bardhë deklaroi se ka një grumbullim “të paprecedentë” të trupave dhe armaturave serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe i bëri thirrje Beogradit që t'i tërheqë ato menjëherë.
Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, Kfor, është përforcuar me trupa britanike dhe administrata e Biden tha se po konsultohej me aleatët për të siguruar që qëndrimi i Kfor-it "përputhet me kërcënimin".
“Ne jemi duke monitoruar një vendosje të madhe ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën që përfshin një organizim të paprecedentë të artilerisë së avancuar serbe, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë,” tha të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.
“Ky është një zhvillim shumë destabilizues, i cili ka ndodhur gjatë javës së kaluar dhe ne po i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë forcat nga kufiri dhe të ulë tensionet.”
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, thirri kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar për përshkallëzimin e situatës dhe sekretari i shtetit, Antony Blinken, foli me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe bëri thirrje për uljen e tensionve dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
Paralajmërimet e SHBA-së vijnë në fund të një jave të tensionuar, e cila filloi me një pritë një grup i armatosur serb ndaj një patrulle të policisë së Kosovës, në të cilën u vra një polic. Në betejën që pasoi, në afërsi të fshatit Banjskë, u vranë tre persona të armatosur serbë.
Grupi i armatosur drejtohej nga Milan Radoiçiç, nënkryetari i Listës Serbe, një parti e mbështetur nga Beogradi që përfaqëson pakicën serbe në veri të Kosovës. Përmes një avokati, Radoiçiç tha se ai ishte përgjegjës për shkëmbimin e zjarrit me policinë e Kosovës, por nuk shpjegoi burimin e armëve moderne.
Qeveria e Kosovës publikoi një dokument ku tregohej se një granatëhedhës që grupi kishte mbajtur u ishte dhënë atyre nga ushtria serbe dhe zyrtarët në Prishtinë shprehën shqetësimin se përleshja e së dielës kishte për qëllim të shërbente si një pretekst për ndërhyrje ushtarake serbe në veri të Kosovës.
Burimet: Guardian, Reuters