Anabelizim

Shqiptarët na tregojnë se ç’bëjnë për të harruar ish-in

Shkruar nga Anabel

3 Tetor 2023

Shqiptarët na tregojnë se ç’bëjnë për
Cynthia Greer

 
Ish-i është një tematikë mjaft e diskutuar në jetën e gjithsecilit. Flasim shumë për të, në çdo drejtim, duke nisur që nga përvojat e bukura, ato që kanë shërbyer si mësime, arsyet e ndarjes, marrëdhënien seksuale, mundësitë e ritkthimit, por, ndoshta pak e flasim se ç’bëjmë konkretisht për të harruar.
 
Ne pyetëm ndjekësit tanë në Instagram dhe ata na thanë se si përpiqen ta harrojnë ish-in:
 
“Punoj me veten që të tërheq në jetën time njerëz më të qëndrueshëm”
 
“Zë një të dashur të ri për të harruar të vjetrin. Pastaj, përfundoj duke i dashur të dy dhe vuaj për të dy”.
 
“Punoj dhe dal shumë”
 
“Shikoj ish-at e të tjerëve”
 
“Lidhem me dikët tjetër”
 
“Kush tha që e ka harruar? Unë flas akoma”
 
“Bëj sikur e harroj, derisa ta harroj”
 
“Shkoj në një shtet tjetër”
 
“Merrem me shokun e tij të ngushtë”
 
“Bëj qejf dhe vazhdoj jetën time”
 
“Ha pica, dal, takoj shoqet”
 
Tani, po të tregojmë edhe ne disa hapa dhe mënyra se si ta harrosh ish-in dhe ta shërosh zemrën e thyer.
 
Mos romantizo marrëdhënien

Jeni ndarë dhe kaq. Ka një sërë arsyesh pse ndikuan në ndarje dhe pikërisht këto arsye e bënë lidhjen të papërballueshme dhe të padurueshme. Nëse ngec në pikën “po të kisha vepruar ndryshe”, na beso që rezultati do të ishte i njëjtë. Ky është gjithashtu një mendim aspak produktiv dhe të mban peng të së shkuarës.

Sa herë të kesh të tilla mendime, ose ndrysho narrativën, pra kupto që ke bërë gjithçka ke mundur për ta mbajtur gjallë marrëdhënien, ose dëgjo muzikë më të lartë se mendimet e tua. Duket klishe, por ndihmon shumë.

Identifiko sjelljet impulsive

Nëse ti e kalon dhimbjen me mekanizma të pashëndetshëm, vijo leximin. Thuaju “stop” veprimeve impulsive, si: ta kontrollosh nëpër Instagram, të shohësh foto të vjetra, të rilexosh biseda, apo edhe t’u shkruash shokëve/shoqeve të tij/saj për hakmarrje. Jo, kjo nuk është mënyra e duhur dhe ti e di shumë mirë.

Në vend të këtyre veprimeve, përqendrohu te vetja. Shko në palestër, nis një serial komik, lexo një libër, gatuaj vaktin tënd të preferuar, rregullo shtëpinë dhe ja, truri yt gjeti diçka më të mirë për të menduar.

Redukto sendet që të sjellin në mendje atë

Nëse dhoma jote është e mbushur me dhurata apo sende të vogla që të kujtojnë atë, dije së në nënvetëdije, po aktivizohen zona të veçanta të trurit që të bëjnë të mendosh për të. Mund të duket e vështirë, por më e mira që mund të bësh, është t’i heqësh qafë këto elemente, pasi më shumë do të të ndihmojnë se do të të lëndojnë.

Mos i lejo njerëzit të përcaktojnë ndjesitë e tua

E kemi parasysh shoqen/shokun e ngushtë që të thotë 100 gjëra në sekondë dhe madje, të gjitha ato që ti do të dëgjosh, por mos ndoshta duhet të kërkosh më thellë brenda zemrës tënde dhe t’u vendosësh ti një emër emocioneve?

Nëse ndien presionin e njerëzve që të rrethojnë, bëjua të qartë që e vlerëson shumë mbështetjen e tyre, por do të rrish vetëm, ose të mos flasësh më për këtë temë!

Analizo ngjarjen

Bëj një rezyme të të gjithë gjërave që të çuan në ndarje. Mund të duket lënduese, por do të të ndihmojë në marrëdhënien me veten dhe me të tjerët.

Kërko ndihmë të specializuar

Kujto që në rastet kur nuk ia del dot i/e vetëm/me, ndihma e specializuar është gjithmonë aty, gati për të të ndihmuar.