Hulumtimet e fundit kanë zbuluar se ndryshimet hormonale në fund të shtatzënisë nxisin instiktet prindërore.
Hulumtimi, në minj, zbuloi se instinktet prindërore u shkaktuan nga ndryshimet në tru që ndodhin si përgjigje ndaj estrogjenit dhe progesteronit në fund të shtatzënisë. Ndryshime të ngjashme ka të ngjarë të ndodhin në trurin e njeriut, sipas shkencëtarëve, të cilët thanë se këto të dhëna mund të hapin rrugën për të kuptuar më mirë sjelljet prindërore dhe shëndetin mendor pas lindjes.
“Ne e dimë se trupi femëror ndryshon gjatë shtatzënisë për t'u përgatitur për rritjen e fëmijëve. Një shembull është prodhimi i qumështit, i cili fillon shumë përpara lindjes. Hulumtimet tona tregojnë se përgatitje të tilla ndodhin edhe në tru,” tha Dr. Johnny Kohl, i cili drejtoi hulumtimin në Institutin Francis Crick në Londër.
Për shkencëtarët, magjepsës është fakti që këto ndryshime nuk ndodhin në lindje, por truri përgatitet shumë më herët për këtë ndryshim të madh në jetë.
Tek njerëzit, ndryshimet hormonale nuk janë ndikimi i vetëm, apo domosdoshmërisht kryesori në sjelljen e prindërve. Por të kuptuarit e ndryshimeve që ndodhin në tru mund të ofrojë njohuri të reja mbi prindërimin, duke përfshirë depresionin pas lindjes dhe psikozën.