Që në momentin që u njoftua se Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari do të luanin në një film, ku do të kishin rolin e një çifti, publiku mezi priti që të shihte “Në kuadër të dashurisë”. Sipas një sondazhi që bëmë në llogarinë e Anabel në Instagram, ky film ishte më i shumëprituri, krahasuar me “2 gisht mjaltë”, “5 herë jo” dhe “Policë për kokë”.
Tani që më në fund u publikua, kureshtja nuk më la dhe shkova për ta parë, me thënë të drejtën, jo me pritshmëri shumë të larta. Para se të vijoni me leximin e shkrimit, duhet ta dini se ky artikull përmban spoliers!
Subjekti i filmit na sjell një çift, Jonida (Olta Gixhari) dhe Besi (Luiz Ejlli), të cilët kuptojnë se martesa e tyre s’ka më shkëndija dhe pasi bëjnë llogaritë dhe del se kanë 4 muaj pa bërë seks, thjesht vendosin të divorcohen pa shumë drama dhe probleme. Por, ndërsa Besi (Luizi) bën gati valixhet dhe tenton të largohet nga shtëpia, Zamira (Zamira Kita), e ëma e Jonidës mbërrin dhe u thotë se babai i Jonidës, Niku (Ndriçim Xhepa) feston ditëlindjen dhe do ta festojnë në Korçë. Jonida dhe Besi duhet të shkojnë në Korçë dhe të shtiren sikur gjithçka është në rregull.
Si shikuese, duhet ta them që historia m’u duk paksa klishé, por mendoja se do ta rregullonte skenari dhe regjia. Por, ndryshe nga ideja ime fillestare, filmi ta jepte direkt përshtypjen se ishte bërë shpejt, që nga fakti që ishin marrë personazhet e “BBVA 2”, ku e vetmja që ka një karrierë që lidhet me aktrimin ishte Olta. Fakti që të tjerët ishin amatorë dukej qartë. Sa i përket regjisë, Koloreto Cukali debuton për herë të parë si regjisor dhe duket që është një fazë eksperimentale për të.
Më poshtë, do të lexoni pse.
Për shembull, elementi kyç për një çift që luan në një film: kimia mes Besit (Luizit) dhe Jonidës (Oltës), ishte thuajse inekzistente. Për mua, më shumë kimi kanë pasur në lidhjen e tyre “të dua – të urrej” brenda shtëpisë së “BBVA 2” kur ishin në “kuadër të lojës” sesa në film, ku ishin “në kuadër të dashurisë”. Kjo, mund të justifikohet me faktin që Luizi dhe Olta, në jetën reale nuk kanë një marrëdhënie aq të ngrohtë, por edhe për faktin se Luizi u bë aktori kryesor i filmit sapo doli fitues nga programi, pa marrë frymë ende. Duhet thënë se e ashtuquajtura “kimi” mes tyre transmetohej vetëm nga Olta (Jonida), për hir edhe të përvojës së saj me teatrin dhe kinemanë, ndaj performanca e saj dhe e aktorëve të tjerë, si: Ndriçim Xhepa, Zamira Kita, Olta Daku, Luan Jaha dhe Ylber Bardhi, bënte dallim nga ajo e personazheve të famshëm, pa përvojë në kinema. Në këtë film, kishim një përballje mes talentit vs famës.
View this post on Instagram
Pra, në këtë film, aktori kryesor, ai, i cili mban peshën e rëndë të filmit, ishte një V.I.P i admiruar, pa përvojë, i cili thjesht po shërben si një karrem për të prodhuar më shumë para dhe për të qëndruar relevant në publik. Për mendimin tim, filmi u bë me nxitim, sa për të vjelur edhe pak nga fama e "BBVA 2" dhe kjo reflektohej, sidomos në problematikat në regji dhe skenar.
Shembuj konkretë:
- Besi (Luizi) dhe i vëllai porosisin sufllaqe në darkë, në shtëpi; ndërpritet skena dhe papritur i sheh që e hanë sufllaqen ditën, në një stol.
- Dialogu i cunguar i Luizit, i cili batutat i thoshte me lehtësi, ndërsa të tjera biseda i bënte si nën gjemba dhe s’e di pse nga kinemaja, u zhvendosa në divan, para TV, duke parë sërish “BBVA 2”.
- Teprimi me kalimtarët në sfond.
- Skenat e shpejta që të vrisnin sytë (dialogu i shpejtë dhe herë pas here i pakuptueshëm, që në shumë raste, mua më bezdisi, pasi e pata të vështirë të përqendrohesha te skena).
- Ndërprerja e skenave pa shpjegim, apo pa e nënkuptuar fundin e skenës, sidomos në pjesën e fillimit.
- Skenat në të cilat kamera pozicionohej mbi kokat e personazheve (sidomos në dialogun e zhvillluar mes Jonidës (Oltës) dhe Besit (Luizit), për të krijuar një efekt më dramatik mes personazheve, por ky efekt nuk transmetohej, sepse vetë dialogu nuk ishe dramatik.
- Skenat në të cilat kamera pozicionohej poshtë (pjesa e shkallëve kur policja i bie ziles së derës), e cila është e panevojshme, pasi nuk ka një element që shikuesi duhet ta shohë nga ky kënd.
- Fotografia (nga Rezart Gurashi) gjithashtu ishte irrituese, pasi duke dashur të bëhej një miksim mes ngjyrave të ftohta dhe të ngrohta, në fakt bëhej një shkëputje e beftë dhe s’kuptohej pse kishte një ndryshim kaq të madh. Në këto skena ndihej edhe ndikimi i kinemasë botërore, por ndryshe nga filmat që i përdorin ngjyrat për të dhënë mesazhe ‘të padukshme’, filmi “Në kuadër të dashurisë” i përdorte për çështje estetike.
- Reklamimi i produkteve pa finesë dhe pa u kamufluar aspak (Jonida (Olta) lyen trupin me një krem dhe kamera fokuson kremin; pijet energjike që dalin në plan dhe zbehin rrugicat e Korçës etj).
- Personazhe që prezantohen nëpër skena dhe thjesht nuk zhvillohen.
Megjithatë, filmi ka edhe situata humoristike, por duke qenë se nis si një komedi romantike, nuk i qëndron aspak zhanrit fillestar. Papritur, e lë mënjanë çiftin dhe dramën e tyre dhe merret me situata të tjera tradhtish dhe ngjarje që s’ndikojnë në situatën e Jonidës (Oltës) dhe Besit (Luizit). Pra, kemi një ndryshim të papritur zhanri, që përforcon faktin që regjisori është në fazë eksperimentale.
View this post on Instagram
Humori në film nuk ishte i mprehtë apo i hollë, por direkt. Pra, mos prisni që të jetë ndonjë humor që të bën të reflektosh dhe të marrësh mësime për jetën. Është humor i zakonshëm dhe çdo skenë është e pritshme. Ndërkohë që ti qesh në çast, e di se ç'do të ndodhë në skenën tjetër.
View this post on Instagram
Por, duhet ta theksoj se ndër aktorët amatorë, një surprizë e këndshme ishte Sara Hoxha, në rolin e Arias, një vajzë që studion për arkitekturë në Itali. Në disa raste, vihet re sikleti i saj, por në përgjithësi ishte familjare me rolin dhe dukej sikur ndryshe nga Luizi, kishte bërë disa prova për t’u futur nën lëkurën e personazhit. Aria krijon një raport me Klejdin (Roerd Toçe), me të cilin krijojnë një romancë të këndshme, por në disa raste, krijojnë skena të sikletshme alla Bollywood (si ajo e makinës që kalon në troturar dhe puthjes në një vend të veçuar, i cili thjesht i shton minuta filmit, pasi mund të hiqej “aksioni” i shpëtimit të jetës nga një rrezik që s’ekziston, si dhe puthja në një vilë).
Gjithsesi, personazhi i Arias vjen i ëmbël, i sinqertë dhe mendoj se nëse Sara i futet seriozisht botës së kinemasë, do të jetë një yll një ngjitje.
Një personazh, për të cilin prisja më shumë kohë filmike, ishte Eni Shehu në rolin e Damianit. Ai ishte një ish i vjetër i Jonidës dhe futet papritur dhe ashtu del. Megjithë tentativën për të shërbyer si një “turbullim” në mendjen dhe zemrën e Jonidës (Oltës), nuk arrin të bëjë asgjë që mund të ndikojë, ose të shtojë dramën në film.
View this post on Instagram
Personazhi tjetër i cili pati një kohë shumë të shkurtër filmike ishte edhe Deamishel, e cila më shumë bujë bëri për deklaratën e saj në tapetin e kuq, ku u shpreh se “nuk do t’i flasë kurrë Luizit”. Në film, ajo shfaqet diku te 30 sekonda. Rekordin e mban Jori Delli, e cila ka një skenë të vetme, super të shkurtër (hyn në një makinë, shkëmben dy fjali, del e mërzitur nga makina).
Çfarë do të doja unë të shihja më shumë nga “Në kuadër të dashurisë”? Pa diskutim, kiminë fantastike të Luan Jahës, Ylber Bardhit dhe Olta Dakut, që luajnë respektivisht babain, vëllain e Besit (Luizit) dhe një police. E kam paksa të vështirë të zgjedh se cili personazh ishte më karizmatik, por mund të them se gjithë kohës, në ndërveprim me njëri-tjetrin ishin “hidh e prit” dhe krijojnë situata shumë komike.
View this post on Instagram
Ylberi dhe Luani kanë luajtur në disa role në serialet dhe filmat në Kosovë dhe rehatia që kishin me njëri-tjetrin u përcoll në mënyrë të përsosur. Personalisht, mendoj se të dy ata duhet të jenë më prezentë në prodhimet e krijuara në Shqipëri. Ndërsa Olta përshtatet me çdo rol. Edhe përmes pasthirrmave dhe “uff e buff-et” e saj, arriti të krijonte momente argëtuese.
View this post on Instagram
Më la mbresa vetëm një skenë e filmit, në të cilën tranzicioni ishte interesant, ku në qendër ishte Jonida, e cila tregoi 1001 shprehi dhe mimika, të cilat përcaktonin raportin e saj me Besin.
Fundi i filmit është paksa i sforcuar, ndërkohë që koha lëviz pas 7 muajve. Ka disa situata që duhet të kenë pak më tepër shpjegim, por fundi është i qartë dhe i lumtur, siç ndodh nëpër filmat komedi.
Në opinionin tim, filmin 95-minutësh do e vlerësoja me një 4/10 dhe mendoj se bie dakord me mendimin e Erion Braçes: “Në kuadër të dashurisë” pati më shumë bujë për premierën, sesa për vetë filmin", por meqë vetë regjisori i vendosi notën 5 në intervistë me Blendi Salajn, në tapetin e kuq, po lëkundem dhe po ia shtoj një notë. Sipas tij, publiku do e vlerësojë me 10 dhe nuk çuditem aspak, nëse publiku që do e shohë, do shkojë vetëm për Luizin. :)
- Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga A. Shehu, redaktore kontribuese në Anabel Media.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.