Eja shohim pak Tv

Nga Për'Puthen te Dea: Stereotipet qesharake dhe (nën)vlerësimi i grave 40+ vjeç

Shkruar nga Anabel

12 Tetor 2023

Nga Për'Puthen te Dea: Stereotipet qesharake dhe

Ah, epoka moderne – ku përparimi dhe paragjykimet vallëzojnë në një tango që duket se nuk mbaron kurrë. Gratë, veçanërisht ato të moshës 40 vjeç e lart, vazhdojnë të përballen me komente dhe paragjykime poshtëruese, edhe në vendet (televizion) apo nga njerëz që supozohet të luftojnë stereotipet e dëmshme. Le të thellohemi në vijim me detaje.

Në një episod të fundit të “Për’Puthen”, një djalë i ri, që e kishte çuar taktin dhe respektin me pushime, bëri një koment të padenjë për një nga vajzat e programit. Ledio i tha Enisës, një vajze të re që është nënë e një fëmije, se nuk do të dilte kurrë me të për shkak të fëmijës dhe në debat e sipër, i tha që ajo duhet të shkojë te “Për’Puthen 40”, a thua se gratë 40+ vjeç të “Për’Puthen” janë “lloji” që i përshtaten një vajze si Enisa, që sipas tij nuk meriton të quhet “femër” etj.

Në rastin tjetër, Deamishel Hoxha, një figurë e njohur televizive, u përball me komente në Instagram për veshjen e saj në premierën e “Në kuadër të dashurisë”. Në vend që të fshinte komentet, t’i injoronte ose t’u përgjigjej në mënyrë tjetër, Deamishel zgjodhi të shkruante: “Sapo kuptova që haterat në profilin tim janë të gjitha gra 45+ vjeç. Ore kush jua ka hapur Instagramin se vetë s’dinë, s’ka shans? Çfarë po u bëni? Po i shkatërroni me duart tuaja.” Më tej vijoi duke thënë: “Po e nxjerr në story që ta shohin plakat e të komentojnë.”

Nga Për'Puthen te Dea: Stereotipet qesharake dhe

Ajo që është vërtet ironike në këto situata është fakti se në rastin e parë, kemi një individ të panjohur më parë në sytë e publikut, që nuk ka dëshmuar publikisht ndonjë bagazh të fortë intelektual. Në rastin e dytë, kemi një personalitet televiziv të supozuar të arsimur dhe me një bagazh të fortë që perforcon këto ide të gabuara për moshën. Të dyja rastet na bëjnë të pyesim: nëse individë me nivele të ndryshme intelekti mund të bien pre e stereotipeve moshore, sa të rrënjosura duhet të jenë këto paragjykime në shoqërinë tonë?

Komentet, edhe pse në dukje të izoluara, pasqyrojnë një problem më të madh brenda shoqërisë sonë. Kur komente të tilla bëhen në platforma me ndikim si televizioni ose nga figura me prani të konsiderueshme në rrjete sociale dhe televizion, ato përjetësojnë koncepte të dëmshme dhe kufizojnë potencialin e grave mbi 40 vjeç.

Thënë kjo, shpresojmë të mos dëshmojmë më komenteve ku gratë gjykohen nga numri i qirinjve në tortë. :)