Anonim të lutem

“Jam përdhunuar/ngacmuar seksualisht”: Vajzat shqiptare rrëfejnë histori tronditëse

Shkruar nga Anabel

30 Tetor 2023

“Jam përdhunuar/ngacmuar seksualisht”: Vajzat shqiptare

Disa ditë më parë, nisur nga rasti i 26-vjeçares në Vlorë, në Anabel hapëm një temë të ndjeshme: përdhunimin dhe ngacmimet seksuale. Shumë vajza, fatkeqësisht, e kishin përjetuar në jetën e tyre përdhunimin apo ngacmimet seksuale dhe ndanë me ne historitë e tyre:
 
“Para 8 vitesh më ka ndodhur me 2 persona. Nga frika e gjykimit e kam mbajtur gojën mbyllur, nuk e kam folur me askënd, për një kohë shumë të gjatë. Kalova në depresion dhe mora mjekim për 2 vite. Kur e fola me pak njerëz, sa u mbaroi interesi, ma përmendën”.
 
“Në një vizitë te xhaxhai. Kam qenë duke luajtur me fëmijët e pallatit. Unë isha 12 vjeç, ndërsa nipi i kushëririt, 17 vjeç. Më mori nga krahu me forcë dhe më çoi në një cep të pallatit, ku tentoi të më puthte dhe më prekte pjesë të trupit”.
 
“Në plazh, duke luajtur me vëllain. Kam qenë 8 vjeç, kur m’u afrua një burrë diku tek të 40-tat, i cili më penetroi me gishta”.
 
“Burri i tezes, kur kam qenë 10-11 vjeç, më ngjeshte pas mureve apo ashensoreve, më merrte hopa dhe më ngjiste pas trupit penisin e eksituar. Këtë gjë s’e di askush deri më sot dhe ndihem shumë keq. Kam kaluar trauma dhe më ka lënë shumë pasoja”.
 
“Prej vitesh jam përdhunuar nga një anëtar i familjes dhe nuk dija si ta ndaloja”.
 
“Kam qenë 7-8 vjeç kur shoku i vëllait (20-25 vjeç) më gënjeu dhe më çoi diku ku punonte, për të parë këlyshat e një qenushi. Ai mbylli derën dhe nisi të më puthte në buzë. Ulërita dhe e kërcënova derisa hapi derën dhe më la të ikja”.
 
“Një natë pas martese më ka përdhunuar burri. Unë bërtisja me sa zë kisha sepse nuk doja dhe ai më thoshte: “Jam burri yt!”.
 
“Xhaxhai im (i sëmurë psikik), por kur pi ilaçet është në rregull. Më komplimentonte dhe një herë tentoi të më prekte të pasmet. Halla dhe xhaxhai tjetër thanë: “S’ka gjë se është i sëmurë”. Ndoshta për fëmijët e tyre do të kishin reaguar ndryshe”.
 
“Çuni i xhaxhait. Më mori sipër vetes dhe fërkohej. Ai ishte 16 vjeç, unë 6 vjeç. E kuptova që s’duhet të qëndroja dhe ika. Më kërkoi sërish ditën tjetër dhe nuk iu afrova më kurrë. Shumë vonë ua kam thënë familjarëve dhe bënë sikur nuk e dëgjuan”.
 
“Kushëriri i babit nisi të më ngacmonte kur isha 13 vjeç. Erdhi, më gjeti vetëm në shtëpi dhe më ngacmoi seksualisht. Që nga ai moment, e urrej. Thjesht e shtyva dhe i thashë mamit menjëherë. Ai iku, bëri sikur s’kishte ndodhur gjë dhe vinte çdo ditë në shtëpinë tonë”.
 
“Jam 50 vjeç dhe mendoja se vetëm unë kam kështu historie përdhunimi në moshën 4-5-vjeçare nga kushëriri i rritur. Në adoleshencë pata lidhje toksike, ish-i dashuri më mori virgjërinë me dhunë dhe këto abuzime dhe të tjera, kanë lënë trauma të tmerrshme tek unë”.
 
“Nga burri im. Sa kisha lindur, isha në depresion post partum dhe ai mendonte se e tradhtoja. Më përdhunoi duke më penetruar në marrëdhënie anale. Gjëja e parë që mendova ishte: “Si do e rris fëmijën, por ai s’meriton asgjë nga unë”.
 
“Vëllai ka bërë shumë gjeste të pahijshme me mua, por s’e di askush”.
 
“Mua tentoi të më përdhunonte kushëriri. Sot e kësaj dite, e vuaj shumë. Nuk heshta aspak! I thashë direkt mamit dhe njerëzve të afërt. Doja që të largoheshin të gjithë prej tij”.
 
“Sot jam 30 vjeç dhe ende s’di si të krijoj marrëdhënie të shëndetshme me djemtë, pavarësisht raportit, sepse më kanë ngacmuar kushërinjtë moshatarë 5-13 vjeç. Ka ndikuar shumë keq edhe në jetën seksuale, edhe në marrëdhëniet me ish-partnerët”.
 
“Ish-i dashuri më ka përdhunuar disa herë, sepse donte të bënim seks anal dhe unë nuk pranoja. Ai më përdhunonte. Shyqyr, nuk jemi më bashkë”.
 
“Një komshiu im më ka ngacmuar. Unë isha 5 vjeç, ai 16 vjeç. I tregova mamit pas pak kohe, sepse ato skena më dilnin para syve sa herë që shtrihesha për të fjetur. Ai djali vazhdonte të më kërcënonte kur ishim vetëm”.
 
“Më ka ngacmuar një burrë 50 vjeç. Më erdhi nga pas te shtëpia e gjyshes deri te shtëpia ime. Kur hyra në pallat, më ndoqi. Isha vetëm në shtëpi dhe shkova trokita te fqinji. Nëse ai s’do ma hapte derën, do më ishte shkatërruar jeta”.
 
“Mua jo, por di një rast. Motrën (nga ana e nënës) të një shoqes sime e përdhunonte njerku, kur ishte vetëm 10 vjeç. Gjitha pallati e dinte dhe nuk e denonconte, derisa një ditë i kapi e ëma, e cila e denoncoi”.
 
“Kushëriri im më ka ardhur natën në krevat dhe më ka puthur. U shokova! Mbaj mend që e kam shtyrë, por nuk isha në vete, thjesht mbeta e shokuar. Edhe tani nuk di ç’më ndodh kur e kam afër, sepse kemi kontakte. Më intimidon. Kur e kam afër, ndiej neveri”.
 
“Nga bashkëshorti. Kam qenë 16 vjeç, ishim të dashuruar, por unë nuk doja të kryenim marrëdhënie, sepse e konsideroja veten shumë të vogël. Ai më mori virgjërinë me dhunë dhe pas shumë vitesh, e urrej akoma. Urrej edhe veten që s’kam ditur të mbrohesha”.
 
“Djali i xhaxhait më prekte gjoksin dhe ngjeshej pas meje kur isha në gjumë. Gjithashtu, edhe djemtë e hallës. Falë Zotit, isha me rroba. Edhe mësuesi 50 vjeç tentoi të më puthte”.
 
“Di një rast Anabel. Një shoqen time e ka marrë me zor nga festa shoku i të dashurit të një shoqeje tjetër dhe e ka çuar në hotel pa dëshirën e saj. Ajo ka telefonuar shoqen dhe ka bërë si e sëmurë nga zemra. Shoqja e la në baltë, nuk e ndihmoi dhe ai djali ia doli, e përdhunoi”.
 
“Njoh një vajzë të cilën e ka përdhunuar i ati. E gjithë familja e mori vesh dhe i thoshte të mos e denonconte se është turp”.
 
“Kur isha në shkollë 9-vjeçare, një mësues tek të 30-tat, sa herë më shikonte vetëm në korridor, zbërthente zinxhirin e pantallonave dhe mundohej të më prekte pa dëshirën time”.
 
“Më ka ndodhur me dajën. Asokohe isha 6-7 vjeç. Flija me të dhe ai më ulte tutat, më afronte penisin…Kurrë s’i tregova njeriu, por fatmirësisht nuk ndodhi përdhunimi”.
 
“Më vjen mirë që vajza (26-vjeçarja) e denoncoi rastin. Unë nuk pata guxim. Para 14-15 vitesh kam kaluar të njëjtën situatë. S’e di ç’më kanë hedhur në pije. Isha 19 vjeç, sapo kisha ardhur me studime në Tiranë. U jam përgjëruar, por fatkeqësisht, kanë abuzuar me mua 2 persona. Nuk kam qenë e vetëdijshme dhe me rastin e vajzës, m’u hap prapë ajo plagë”.
 
“Më ka ndodhur nga ish-burri me muaj me radhë, derisa e lashë. Askush s’e di as sot, por thuajse çdo ditë zgjohem e trembur nga gjumi, edhe kur nuk shoh ëndrra fare”.