Piers Morgan, në episodin e ri të “Piers Morgan Uncensored” thotë se komentet për ngjyrën e lëkurës së Archie, djalit të princit Harry dhe Meghan Markle, janë bërë nga vetë mbreti Charles III dhe princesha Kate Middleton.
Piers i referohet librit të ri të Omid Scobie, me titull: “Endgame: Inside the Royal Family and the Monarchy’s Fight for Survival", ku autori shprehet se Markle i shkroi një letër private mbretit Charles, duke përmendur anëtarë të familjes që bënë biseda “shqetësuese” rreth ngjyrës së lëkurës së djalit të Harry-t dhe Meghan, kur ajo ishte ende shtatzënë.
Në paragrafin përkatës shkruhet: “Edhe pasi Meghan dhe Charles diskutuan me letër për paragjykimet e mundshme të pavetëdijshme brenda familjes, pasi u zbulua se [tekst i redaktuar] mori pjesë në biseda të tilla rreth Archie, [tekst i redaktuar] ka shmangur diskutimin e temës [tekst i redaktuar]”, duke e bërë të paqartë nëse vetë autori i përmend apo jo në libër në shtete të tjera, por në Holandë, emrat e Kate dhe Charles gjenden në libër.
Morgan shpjegon se sipas pikëpamjes së tij, nuk beson se janë bërë komente raciste nga ana e familjes mbretërore dhe mendon se të gjithë qytetarët meritojnë ta marrin vesh të vërtetën. “Sinqerisht, nëse holandezët mund të shohin këto emra, atëherë edhe ju britanikët këtu, që paguani për familjen mbretërore britanike, keni gjithashtu të drejtë ta dini”, u shpreh Piers, duke aluduar se vetëm në kopjet në Holandë gjenden të shkruar emrat e dy anëtarëve mbretërorë.

Dy vite më parë, Meghan Markle, në një intervistë bombastike me Oprah Winfrey, u shpreh se janë bërë komente raciste nga ana e anëtarëve të familjes mbretërore për ngjyrën e mundshme të lëkurës së Archie. “Rreth sa e errët do të jetë lëkura e bebes?”, pyeti Oprah e tronditur dhe Meghan e pohoi.
Më pas, Harry, u pyet rreth komenteve dhe ai refuzoi të japë shpjegime. “Kjo është një bisedë që nuk do e tregoj kurrë, por asokohe ishte e sikletshme. Mbeta pak i shokuar”, u shpreh ai asokohe.
Artikuj të sugjeruar: