Vrasja e 30-vjeçares Liridona Murseli fillimisht u raportua si grabitje, por tashmë po hetohet si një vrasje e planifikuar. Në vijim gjeni një përmbledhje për ngjarjen që tronditi Kosovën.
Vrasja më 29 nëntor
Mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:20, u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Pasi policia mbërriti në vendngjarje, gjeti të pajetë trupin e Liridona Murselit, e cila ishte ekzekutuar me armë zjarri në makinë. Ajo udhëtonte me bashkëshortin Naim Murseli, ish-këshilltar i Behgjet Pacollit, së bashku me dy fëmijët e tyre.
Çfarë u tha fillimisht
Dyshimet e para qenë për një grabitje, pasi edhe Naim Murseli, në dëshminë e dhënë në polici, deklaroi se dy persona të maskuar u kishin prerë rrugën dhe u kishin kërkuar lekët dhe telefonat. Në largim e sipër, kishin qëlluar me armë zjarri gruan e tij, Liridonën.

Dyshimet e para
Gazetarë, juristë dhe aktivistë bënë thirrje për hetim më të detajuar, pasi sipas tyre, ngjarja nuk dukej si grabitje. Ish-koloneli i Policisë, Rrahman Sylejman, hodhi dyshime se si ka mundësi që kryefamiljari të jetë larguar nga skena e krimit me fëmijët në vend të nënës.
Avokati Arbër Jashari argumentoi se përgjithësisht, grabitësit nuk grabisin vetura private, pasi kanë synim bankat, makinat me shumë njerëz, bizneset që kanë shuma të mëdha parash në qarkullim etj. Jashari shtoi se grabitësit e dinë që sot njerëzit nuk mbajnë shumë para me vete, stoli apo sende me vlerë.
“Grabitësi nuk ka qëllim vrasjen. Ai qëllim primar ka të ushtrojë frikë në mënyrë që të marrë plaçkën. Grabitësi vret vetëm kur i rrezikohet jeta ose zbulimi i identitetit. Është pak e besueshme që grabitësit të jenë ndjerë të rrezikuar, e sidomos nga një grua,” tha ai në Facebook.
Arrestimet
Policia në Kosovë njoftoi se u arrestuan Granit Plava dhe Naim Murseli (bashkëshorti i viktimës) të dyshuar për vrasjen. Sipas mediave në Kosovë, Granit Plava ka pranuar se ka qenë Naim Murseli ai i cili i ka kërkuar të vrasë bashkëshorten dhe i ka premtuar 30,000 euro, një pjesë të të cilave ia kishte dhënë paraprakisht. Në mbrëmje vonë u njoftua se një person i tretë u arrestua lidhur me krimin. Ai është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe nipi i Naim Murselit.
Sipas disa mediave, Naim Murseli ka pranuar porositjen e vrasjes së gruas së tij Liridonës, teksa po udhëtonte edhe me dy fëmijët. Këto janë vetëm detajet e para që janë zbuluar pas arrestimit të të dyshuarve dhe pritet të konfirmohen nga organet e rendit pasi të sigurohen provat e nevojshme.
Naimi dhe Liridona kishin 12 vite të martuar.