Ruby Franke, 41 vjeç, influencuese e njohur në YouTube, u akuzua për torturat që u bënte fëmijëve të saj, dy prej tyre, 9 dhe 12 vjeç. Ajo u shpall fajtore të hënën në gjykatën e Utah, për kryerjen e një sërë abuzimesh ndaj fmëijëve.
Franke u mohonte fëmijëve pirjen e ujit, i detyronte që të qëndronin në diell për ditë të tëra, çka u kishte shaktuar edhe djegie serioze dhe probleme me lëkurën. Ajo gjithashtu i dënonte nëse pinin ujë fshehtas dhe nuk u jepte ushqim të mjaftueshëm gjatë vakteve.
Në korrik të këtij viti, një prej të miturve tentoi të largohej nga shtëpia dhe Ruby e kapi dhe e prangosi nga kyçet e këmbëve dhe të duarve, duke i lidhur me litar gjymtyrët. Sipas deklaratave, fëmija qëndronte pezull, me gjymtyrët e lidhur. Ajo madje ia fuste kokën në ujë dhe tentonte ta mbyste, duke i mbuluar hundën dhe gojën, ndërsa e shkelmonte.
Franke u mundua ta bindte fëmijën se ishte “i lig dhe i poseduar” dhe se ndëshkimin ishin një mënyrë për ta “shpëtuar”. Në të njëjtën mënyrë, trajtonte edhe vajzën 6 vjeç, duke i thënë se këto ishin veprime dashurie.
Franke ka pranuar akuzat dhe dhunën mizore ndaj të miturve, duke u shprehur: “Me pendesën më të thellë dhe trishtimin më të madh për familjen dhe fëmijët e mi, jam fajtore”. Gjykimi për të do të jepet më 20 shkurt 2024.
Ruby u përball me 6 akuza për dhunë ndaj fëmijëve dhe ka pranuar 4 prej tyre. E njohur për kanalin e saj në YouTube, “8 Passangers”, Ruby befasoi njerëzit kur u përball me akuza të tilla. Ajo, në YouTube, tregonte për mënyrën e jetesës me bashkëshortin dhe 6 fëmijët e tyre, si dhe për mënyrat se si i disiplinonte fëmijët. Prindërit ishin pjesë e kishës “Jesus Christ of Latter Day Saints” dhe i mësonin fëmijët nga shtëpia.
Kanali në YouTube u rrit me 2.3 milionë ndjekës dhe ngjallnin gjithnjë kuriozitetin e njerëzve.
Arrestimi i saj u bë i mundur, pasi një prej djemve, 12 vjeç, u arratis nga dritarja e shtëpisë së tyre dhe shkoi te një fqinj për të kërkuar ujë dhe ushqim. Fqinji lajmëroi autoritetet, të cilët arrestuan të ëmën. Djali kishte në këmbë pjesë të mbetura ngjitësi, ishte i uritur dhe kishte etje.
Djali u shtrua në spital dhe pas kërkimeve, u gjet edhe e bija e saj, 10 vjeç, në gjendje të keqe. Katër prej fëmijëve të saj janë nën 18 vjeç dhe janë marrë në kujdestari nga shteti.