
Selena Gomez shprehet se ka “edhe një tjetër album” para se të tërhiqet nga muzika. “Kam bërë shumë qejf me muzikën dhe me turnetë”, tha ajo në podkastin “Smartless”, duke shtuar se ndoshta do të zgjedhë si karrierë kinemanë.
Ajo theksoi se ende s’e ka vendosur, pasi argëtohet shumë edhe me projektet kinematografike: “Sa më shumë rritem, më shumë mendoj se duhet të gjej diçka ku të përkushtohem. Mendoj se kam vetëm një album dhe me shumë mundësi do të zgjedh aktrimin. Dua ta marrë me qetësi, sepse jam e lodhur”, tha ylli i “Only Murders In the Building”.
Albumi i fundit i Sel ishte “Rare” në vitin 2020. Që pas asaj periudhe, ajo është shfaqur në disa seriale. Pavarësisht se është ndër këngëtaret më të suksesshme në treg, ajo s’ka bërë një turne qysh prej vitit 2016. “Revival” ka qenë turneu i saj i fundit, disa shfaqje prej të cilit u detyrua t’i anulojë për shkak të diagnostikimit me lupus*.
Lupus* - 90% e të prekurve nga Lupus janë femra të moshave 15-24 vjeç. Sëmundja dëmton sistemin imunitar, i cili bëhet hiperaktiv duke shkatërruar edhe indet e shëndetshme të trupit. Është e pashërueshme; duhet të kurohesh gjithë jetën. Ende nuk është kuptuar përse Lupusi zhvillohet tek disa njerëz, megjithatë besohet se ndikohet nga gjenetika dhe njëkohësisht nga faktorë të jashtëm.
Nuk është e thjeshtë për mjekët të përcaktojnë simptomat e kësaj sëmundjeje, sepse ato ndryshojnë shumë nga njëri pacient tek tjetri. Sidoqoftë, kur disa prej këtyre shenjave shfaqen në një kohë, me gjasa kemi të bëjmë me lupusin.
1. Ënjtje kyçesh dhe dhimbje
2. Irritim i lëkurës së fytyrës
3. Urinim me gjak
4. Dhimbje gjoksi
5. Gjendje e vazhdueshme këputjeje
6. Rënie flokësh
7. Gojë e hidhur
8. Humbje e kujtesës dhe bllokim i trurit
9. Çrregullime emocionale, si depresion, ankth
Më pas, Gomez u diagnostikua me çrregullim bipolar dhe 2 vite më vonë, mori trajtim të specializuar për shkak të sëmundjes mendore. Që prej asaj periudhe, ajo ka qenë një zë i fuqishëm për ndërgjegjësimin ndaj sëmundjeve mendore.