America Ferrera dhe Ryan Gosling janë shumë të lumtur për nominimet e tyre në kategoritë “Aktorja më e mirë” dhe "Aktori më i mirë" në çmimet Oscars, por njëkohësisht, tejet të zhgënjyer që Margot Robbie dhe regjisorja Greta Gerwig, nuk morën asnjë nominim. Në një intervistë për Variety, Ferrera u shpreh se të dyja ato e meritonin.
“Jam jashtëzakonisht e zhgënjyer që ata s’u nominuan”, u shpreh Ferrera, e cila luan rolin e Gloria-s në film. “Greta ka bërë çdo gjë që një regjisore mund të bëjë dhe e meritonte, duke krijuar këtë botë dhe trajtimi i diçkaje që nuk kishte qenë vlerë e qenësishme për shumicën e njerëzve, për ta kthyer në një fenomen global. Është zhgënjyese të mos e shoh në listë”, tha America.
Sa i përket Robbie, Ferrera, 39 vjeç, u shpreh: “Ajo që ka arritur Margot si aktore është e pabesueshme. Një gjë për Margot si aktore është se i bën gjërat të duken shumë të thjeshta dhe ndoshta njerëzit gënjehen duke menduar se puna është e lehtë, por Margot është si magjistare përballë ekranit. Ishte një nder në karrierën time që të dëshmoja performancën fantastike që bëri”, referuar filmit Barbie.
Ryan Gosling ndan të njëjtin mendim, duke u shprehur për BBC: “Nuk do kishte Ken pa Barbie dhe nuk do të kishte Barbie pa Greta Gerwig dhe Margot Robbie, 2 njerëzit që janë përgjegjës për filmin që bëri histori, ndërkombëtarisht”.
Gjithsesi, “Barbie” është nominuar në 8 kategori, përfshirë edhe filmin më të mirë.
Artikuj të sugjeruar: