Marredhenie

Ç’të bësh kur nuk të pëlqen i dashuri i shoqes?

Shkruar nga Anabel

25 Janar 2024

Ç’të bësh kur nuk të pëlqen i dashuri i shoqes?

Një herë në jetë, shumica prej nesh e kanë gjetur veten në një pozitë të tillë kur personi me të cilin mikesha/miku i ngushtë ka nisur një lidhje nuk u ka pëlqyer.

Njësoj si Ross në episodin e 22-të të sezonit të tretë të “Friends”, kur Rachel prezantoi të dashurin e saj të ri, rol i luajtur nga Ben Stiller. E mbani mend kur askush nuk e besonte Ross për sjelljen e keqe të personit të ri që iu bashkua grupit?

Me siguri edhe ti ke qenë në vendin e Ross një ose disa herë. Po çfarë duhet të bësh në ato raste?

Ç’të bësh kur nuk të pëlqen i dashuri i shoqes?

Mund të kesh shumë arsye në mendje pse nuk e pëlqen partnerin/partneren e mikeshës/mikut tënd, por nëse nuk ke diçka objektive për të mbështetur opinionin tënd, të duhet të kesh një qasje të edukuar ndaj tij. Në këtë rast duhet të bësh kujdes edhe me gjuhën dhe tonin që përdor kur flet për të, me pak fjalë mos e shaj pas krahëve, sepse asnjëherë nuk i dihet ku mund të përfundojë thashethemi i nisur.

Për të bërë paqe me faktin që personi yt i dashur do e vazhdojë këtë lidhje edhe pa aprovimin tënd, duhet të mos lejosh dëshirat dhe ëndrrat e tua për partnerin ideal (të shoqes) që të ndërhyjnë.

Megjithatë ka edhe momente kur duhet të flasësh patjetër me mikun/mikeshën tënde për partnerin. Për të arritur në një konkluzion për një person, edhe kur ke vetëm shqisën e gjashtë si argument, mirë është të tregohesh vëzhgues i mirë i sjelljeve të personit në fjalë karshi personit tuaj të dashur. Nëse ai është njeri negativ dhe nuk sillet siç duhet, me ftohtësinë e argumenteve që duhet treguar në raste serioze, mund të bësh një bisede vetëm për vetëm me shoqen/shokun tënd, ku i liston gjithë gjërat që ke konstatuar si të gabuara. Mund të jetë një zakon, një sjelllje, kritikë, apo çfarëdo sinjali që tregon se marrëdhënia mud të bëhet toksike shpejt.

Dashuria mund të jetë e verbër, por shoqëria jo, ndaj roli yt si mik do jetë gjithmonë të mbrosh mikun/miken e dashur, sidomos kur sheh sinjalet e një marrëdhënieje abuzive.

Artikuj të sugjeruar: