Elia Zaharia tregoi në emisionin “Breaking” më shumë rreth konfliktit me princin Leka. Ajo, përmes një mesazhi ekskluziv për emisionin u shpreh se iu gris shpirti kur pa ish-bashkëshortin që t’i dhunonte të atin.
“Të jesh e bindur që më panë sytë babin të sulmohej dhunshëm dhe m’u gris shpirti. Të gjitha provat e dhunës janë në trupin e tij dhe prokuroria e gjykata i disponon. T’i them këto pasi është e rëndësishme që njerëzit që më mbështetën publikisht, duke marrë edhe koston e urrejtjes së partizanëve të palës tjetër, të dinë se në thelb po mbrojnë një njeri që iu hodh në fyt (princ Lekës) në mbrojtje të prindit”.
Më tej, ajo sqaroi se konflikti nuk ka ndodhur për asnjë pronë.
“Asnjë çështje prone nuk ka në mes. Çdo gjë është e përcaktuar! As uzurpim nuk ka! Unë me vajzën jetojmë në shtëpinë familjare, të cilën ai e braktisi e kjo deri sa apartamenti që i dha vajzës të ndërtohet! E gjitha kjo, sipas kodit të familjes, ku mendohet interesi më i lartë i fëmijës! Babai im kishte 10 ditë që kujdesej për mua e për vajzën, se kam qenë me temperaturë e nuk kujdesesha dot! Çfarë nuk më kanë dëgjuar veshët këto ditë! Unë nuk kam as parti, as partizanë që të dalin e të më mbrojnë. Kam vetëm të vërtetën time!”, përfundoi ajo.
Elia ka bërë edhe një tjetër reagim më parë në Instagram, ku shprehu falenderimet dhe mirënjohjen për njerëzit që mbështetën.
“Miq dhe dashamirës. Ndiej dhe dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë për kurajon që më keni dhënë përgjatë këtyre ditëve kaq shqetësuese për mua dhe familjen time! U jam falenderuese të gjithë atyre që u ulën dhe më shkruan fjalë zemre, atyre që kuptuan dhe ndienë dhimbjen time”, shkroi aktorja.
Ajo falenderoi gjithashtu kolegët e saj artistë që firmosën një peticion në 8 Mars, ku sensibilizoheshin me dramën në familjen e saj, pas publikimit të një videoje të regjistruar nga princi Leka, për të “dokumentuar” dhunën e saj ndaj tij. Videoja, pavarësisht se duhej të mbahej private, u publikua në internet dhe u bë mjaft virale dhe e diskutuar.
“Artistë të shquar e të nderuar të vendit tim, nga brezat që na kanë bërë e vazhdojnë të na bëjnë krenarë e që janë një pasuri kombëtare, deri te brezat e rinj të artit e kulturës në vend, u bashkuan në një peticion sensibilizues në mbështetje të një dinjiteti njerëzor! Ju jam përulësisht mirënjohëse, deri në lot”, përmbylli ajo postimin.
Artikuj të sugjeruar: