Studentët e universitetit të Prishtinës, në degën e drejtësisë, kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në garën ndërkombëtare “Willem C Vis International Arbitration Moot”, e cila zhvillohet në Vienë, Austri.
Ata kanë garuar me 364 universitete të tjera, të njohura mbarëkombëtarisht dhe kanë arritur të lënë pas 360 prej tyre.
Kosovo law students outperformed around 360 teams from across the world to reach the top 4 in the "Willem C. Vis International Arbitration Moot" competition in Vienna, Austria. pic.twitter.com/yqH6hEHlSw
— Admirim (@admirim) March 28, 2024
Për suksesin e tyre u shpreh shumë krenare edhe Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, e cila përmes një postimi në Instagram shprehu të gjithë vlerësimin për të rinjtë.
“Sukses historik! Në garë me gati 400 Universitete, ekipi i fakultetit juridik të Universitetit të Prishtinës, arriti në top 3-shen më të mirë në botë! Këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjoze të drejtësisë, “Willem C Vis”. Ata po ashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur”, u shpreh Vjosa.
Më tej, vijoi: “Kjo ekipë këtu në foto dëshmon se vetëm me punë e përkushtim arrihet gjithçka. Krenare sa më s’ka! Bravo studentëve Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe Trajnerët: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj”.
View this post on Instagram
Edhe Albin Kurti shprehu krenarinë e tij mbi këtë arritje historike:
"Universiteti i Prishtinës shënon arritje historike, duke lënë pas 360 universitete nga e gjithë bota. Në garën më të madhe ndërkombëtare të drejtësisë "Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot Competition", ekipi i UP-së është renditur në gjysmëfinale me Universitetin e Vjenës, të Bucerius dhe të Tübingenit. Gjithashtu, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ekipi ka fituar çmimin e veçantë për Memorandumin për palën e paditur", shkroi ai në postimin e tij në Instagram.
Më pas, shtoi:
"Universiteti i Prishtinës merr pjesë në këtë garë tash e disa vite. Sivjet gjenerata e 31-të, ka triumfuar kundër ekipeve nga universitetet si: Universiteti Charles i Pragës, Universiteti i Buenos Aires, Universiteti i Kalifornisë në Los Angeles, Universiteti i Tbilisit, Universiteti Katolik i Australisë, Universiteti i Hong Kongut për shkenca politike dhe drejtësi, si dhe Universiteti i Cincinnati-t. Përgëzojmë për suksesin mbresëlënës studentët e Fakultetit Juridik: Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa dhe Rea Hadri, si dhe trajnerët: Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj".
View this post on Instagram
Vis Moot organizohet nga Shoqata për Organizimin dhe Promovimin e Gjykimit Ndërkombëtar të Arbitrazhit Tregtar Willem C. Vis – Verein zur Veranstaltung und Förderung des Willem C. Vis International Commercial Arbitrazhit Moot, një shoqatë jofitimprurëse austriake.
Qëllimi i “Willem C Vis International Arbitration Moot” është të nxisë studimin e së drejtës tregtare ndërkombëtare dhe arbitrazhit dhe të ofrojë një trajnim praktik për studentët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare të biznesit.