Çiljeta, në një bisedë në “Ferma VIP”, tregoi se para 4 vitesh do të ishte bërë nënë me partnerin e saj, Alban Hoxhën. Ajo tregoi se pësoi një abort në javën e shtatë, në periudhë Ramazani.
“Isha shtatzënë para 4 viteve, sa kisha filluar bashkëjetesën me Albanin. Isha, por më ra, në javë të shtatë. Do ishte bërë 3-4 vjeç tani. U mërzita shumë. U mërzitëm shumë, të dy”.
Ajo tha se do të tentojnë së bashku me partnerin për një fëmijë tjetër, por nuk do që ta bëjë fëmijën pasi të mbushë 40 vjeç. Gjithsesi, edhe nëse nuk bëhet nënë sërish, Çiljeta theksoi se i kanë dy fëmijë si drita, referuar djalit të saj Fernandos dhe Bekos, djalit nga martesa e parë e Albanit.
Në të njëjtin format, ajo ka folur edhe për njohjen me partnerin e saj, duke u shprehur:
"Jemi njohur rastësisht në një koncert timin. Atë ditë jepte intervistë ai, jepja dhe unë. E kishte dhënë ky intervistën i pari dhe pastaj erdhi bashkë me gazetaren aty ku këndoja unë. Kjo gazetarja ma prezantoi, por unë nuk merrja vesh fare nga sporti. Pasi këndova unë, më kërkoi të bënim foto me ato sytë që i ndriçonin. Nxori telefonin për të bërë foto, por iu fik në atë moment. Unë për ta nxjerë nga sikleti i thashë që s'ka gjë se e bëjmë me telefonin tim. Bëmë foton dhe ikëm te një lokal tjetër, po s'e kisha mendjen fare sepse isha në një situatë tjetër në jetën time, isha në pritje të gjërave të mia, kisha Fernandon e vogël", tregoi Çiljeta, duke shtuar se ishte ende me babin e Fernandos.
Ajo rrëfeu se fillimisht e nisën si shokë, por ajo ndryshoi mendje kur e pa Albanin në portë:
"Kur më mori me vete në ndeshjen e parë, aty e pashë me sy më ndryshe. M’u duk i gjatë, me shpatulla të gjera dhe e pashë me sy tjetër. Kështu, ngadalë nisi historia jonë. U bëmë 8 vite tani", tregoi këngëtarja, por shtoi se patën edhe një shkëputje të thellë pas 4 vitesh dhe për një muaj nuk kanë pasur kontakt, por ia dolën ta hidhnin pas.
Këngëtarja jeton me partnerin e saj, futbollistin Alban Hoxha, dhe i është përkushtuar rritjes së dy fëmijëve, djalit të saj, Fernandos, dhe djalit të Albanit. Beko, djali i Albanit, erdhi në jetë në 2014-n dhe 16 ditë pas lindjes, nëna e tij, Dori, ndërroi jetë si pasojë e një hemoragjie celebrale.