
Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj është përfshirë në një incident me makinën e tij Ferrari, për të cilën mediat kanë shkruar se ka marrë flakë.
Vetë futbollisti ka reaguar me anë të një story për të treguar se ai dhe familjarët që ishin me të janë mirë dhe kjo ngjarje nuk ishte një aksident rrugor.
“Disa media raportuan lajme në lidhje me një ngjarje të ndodhur pak ditë më parë. Dua të theksoj se jam mirë, por edhe njerëzit që ishin me mua janë mirë. Një defekt në makinë shkaktoi ndezjen e zjarrit teksa isha duke ecur përgjatë një rruge, menjëherë kam bërë një bilanc të situatës dhe kam ndaluar në një vend të sigurt. Për fat të mirë, pa asnjë dëmtim në njerëz apo mjete të tjera. Nuk ishte një aksident rrugor, e bëj të qartë se gjithçka është në rregull dhe jam i fokusuar te ndeshja e sotme. Faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja”, shkruan ai.
Sonte në mbrëmje, Elseid luan në përballjen e Lacios ndaj Salernitanës për raundin e 32-të të Seria-A.