Më 18 prill, Ministria e Shëndetësisë hodhi një konsultim projektligjin “Për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues”, procesi i të cilit përfundon më 16 maj. Nëse drafti ligjor merr aprovim nga komisionet e parlamenti, mund t’i hapë rrugë ligjshmërisë së sjelljes në jetë të fëmijëve nga nënat surrogate.
Kjo shtatzëni bëhet në bazë të një marrëveshjeje/kontrate mes gruas që do të ketë fëmijë, por që nuk ka mundësi mjekësore që të mbetet shtatzënë dhe gruas tjetër, e cila do të mbajë fëmijën që do të lindë në llogari të gruas së parë.
Ekspertët e shëndetësisë përcaktuan edhe kriteret për gratë që mund të sjellin në jetë fëmijë përmes nënave surrogate.
Gruaja që dëshiron të ketë fëmijë duhet të jetë infertile, ose për arsye anatomike, nuk mund të mbetet shtatzënë.
“Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të jetë infertile, ose ta ketë të pamundur të ketë një shtatzëni në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj, në rast se mbetet shtatzënë”, njoftoi ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Edhe gruaja surrogate duhet të përmbushë këto kritere: Të jetë mbi 25 vjeç, të mos përdorë vezët e saj dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë.
“Gruaja zëvendesuese (surrogate) nuk duhet të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë. Nëna surrogate duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë”, deklaroi ministrja.
Projektligji përcakton se fëmijët e lindur sipas kësaj teknike i nënshtrohen dispozitave të Kodit të Familjes për birësim surrogativ. Gjithashtu, ekspertët kanë parashikuar edhe gjoba për shkeljen e këtij ligji.
Projektligji, nëse bëhet ligj, vepron edhe për shtetasit e huaj, të cilët mund të kryejnë këtë procedurë në Shqipëri. Gjithashtu, parashikon edhe shtimin e kohës për ndërprerjen e shtatzënisë, me dëshirën e gruas, për arsye të ndryshme. Supozohet se afati do të jetë deri në 14 javë, nga 12 javë që është aktualisht. Ekspertët mendojnë se kjo shtyrje e afatit kohor mund të rrisë gjasat për abort selektiv, pasi bëhet e dallueshme gjinia e bebit.
Për të kaluar sërish te surrogracia: Ndonëse sjellja në jetë e një fëmije përmes një gruaje surrogate është një teknikë mjaft e njohur, sidomos për VIP-at, sërish ka ndezur shumë kritika në Shqipëri. Duke nisur që prej Partisë së Lirisë, Koalicioni Pro Familjes dhe personazheve publikë, ligji “për shëndetin seksual dhe riprodhimin” është diskutuar shumë.
Partia e Lirisë u shpreh se kjo është një tentativë për të shndërruar vendin në një fermë laboratorike. “Nëse kujtojnë se gjaku i shqiptarëve është bërë ujë, do të çuditen edhe vetë kudo janë për përgjigjen që do t’u japë populli i lirisë dhe dinjitetit. Nuk kemi moshë për të dalë me tanga”, tha Ilir Meta, ndonëse asnjë nga këto fjali nuk ka një lidhje konkrete me çështjen në fjalë.
Edhe Petrit Vasili ka rënë dakord, duke thënë se ky është një ligj i sponsorizuar nga grupe mafioze dhe se është një ligj antikombëtar.
“Ligji për riprodhimin, ligj i sponsorizuar nga grupe mafioze, ligj antikombëtar! Synojnë ta kthejnë Shqipërinë në fermë uterusi për të prodhuar foshnje. Projektligji është tentativë antishqiptare dhe antifamilje për shpërbërjen e Shqipërisë. Shkelet rëndë dinjiteti dhe të drejtat e gruas dhe fëmijët. Pjesa më vrastare është që ky ligj kërkon edhe të zgjasë afatet e kryerjes së abortit, nga 12 në 14 javë”, u shpreh ai.
Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dorëzoi gjithashtu një kërkesë për një seancë dëgjimore në ministrinë e Shëndetësisë, duke supozuar se Shqipëria nuk është ende gati për surrogacinë.
“Ky projektligj lejon që Shqipëria të bëhet një nga vendet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe lejon trafikimin e grave, bebeve dhe foshjeve të vogla. Ky ligj prek edhe abortin. Ideja është që vajzat e vogla 16-vjeçare lejohen që të abortojnë pa dijeninë e prindërve. Përveç kësaj, ky ligj e bën Shqipërinë një parajsë të vërtetë për surrogacinë dhe trafikimin e qenieve njerëzore”, u shpreh Linda Pano, përfaqësuese e koalicionit.
Dorina Mema ka bërë gjithashtu një reagim në rrjetet sociale, duke u shprehur se gratë shqiptare nuk janë surrogate.
“Këshilli ndërfetar, i cili tregon madhështinë e paqes se fetë këtu bashkojnë në paqe shoqërinë shqiptare, janë vigjilentë ndaj situatës, në pritje të anulimit (të projektligjit) dhe janë me nënën shqiptare. Opozita mbështet Koalicionin Pro Familjes, me qëndresën kundër ndryshimit surprizë të këtij ligji e poshtërsitë satanike që sjell ky ligj, nga sterilizimi i 18-vjeçarëve e deri te ferri i bebeve surrogate, ku shumica e qytetarëve nuk informohen dhe nuk dinë se ç'po ndodh me axhendën në botë. Gruaja shqiptare, pa dallim feje apo orientimi politik, nuk mund të mbështesë këtë frymë antinjerëzore. Është jonjerëzore kjo axhendë. Një “degjenerim i qenies njerëzore” që na serviret si “modernizëm”. Një politikë që thotë: “Shqipëria është ‘parajsa’ dhe duan të miratojnë ligjet e ferrit. Shporrini këta satanistë që këtu një orë më parë!”, shprehet ajo.
Për më tepër, aktivistët kanë paralajmëruar edhe protesta për këtë projektligj.
Surrogracia, siç e shpjeguam edhe më sipër është një marrëveshje ligjore, sipas së cilës një grua pranon të lindjë një fëmijë në emër të një personi tjetër, që do të jetë prindi i fëmijës që ajo ka sjellë në jetë. Njerëzit ndjekin këtë praktikë për shkak të arsyeve të ndryshme, duke nisur që nga infertiliteti, deri te faktorët e padëshiruar që sjell shtatzënia, ose pamundësi mjekësore.
Nënat surrogate janë gratë që mbartin dhe lindin një fëmijë për një person tjetër, në një proces të tillë. Nënat surrogate, zakonisht u prezantohen prindërve që duan të bëhen prindër përmes palëve të treta, apo agjencive.
Llojet e surrogacisë
Termi përdoret në përgjithësi për të përshkruar disa skenarë të ndryshëm.
1. Një surrogate gestacionale mbart një shtatzëni për një individ ose çift duke përdorur një vezë që nuk është e saj. Veza mund të jetë ose e nënës ose nga një dhuruese. Po kështu, sperma mund të jetë nga babai ose një dhurues. Shtatzënia arrihet përmes fekondimit in vitro në laborator.
2. Një nënë surrogate tradicionale dhuron vezën e saj për një individ ose çift. Shtatzënia zakonisht arrihet përmes inseminimit intrauterin (IUI) me spermë nga babai. Mund të përdoret gjithashtu sperma e donatorëve.
Sipas agjencisë Southern Surrogacy, surrogatet gestacionale tani janë më të zakonshme se surrogatet tradicionale. Pse? Sepse në rastin e dytë, gruaja dhuron vezën e saj, që do të thotë se teknikisht është nëna biologjike e fëmijës. Kjo mund të funksionojë mirë, megjithatë mund të krijojë çështje komplekse ligjore dhe emocionale. Në fakt, disa shtete kanë ligje kundër surrogacisë tradicionale për këto arsye.
Kriteret:
Kriteret për të qenë surrogate ndryshojnë sipas vendeve, por zakonisht përfshijnë:
- mosha: kandidatët duhet të jenë nga mosha 21 deri në 45 vjeç.
- detajet e riprodhimit: duhet të kenë kryer të paktën një shtatzëni - pa probleme - deri në fund, por të kenë më pak se pesë lindje vaginale dhe dy lindje cezariane.
- stili i jetesës: duhet të jetojnë në një mjedis që nuk ua vështirëson shtatzëninë dhe mos kenë abuzuar me alkoolin dhe drogën.
- testet: duhet të kontrollohen për shëndetin mendor dhe fizik, duke përfshirë kontrollin për infeksionet seksualisht të transmetueshme.
A ka raste konkrete në Shqipëri?
Në shtator të vitit 2020, një vajzë – identiteti i të cilës nuk u zbulua – tregoi në “Opinion” se e kishte të pamundur të bëhej nënë, për shkak të disa problemeve shëndetësore në adoleshencë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të saj dhe bashkëshortit. Nisur nga kjo, nëna e saj vendosi që të shërbente si nënë surrogate për fëmijën.
Nga çfarë deklaruan në “Opinion”, nënë e bijë iu nënshtruan fekondimit in vitro, ku vezët u mblodhën nga nëna biologjike, u fekonduan me spermatozoidin e babait dhe u vendosën në mitrën e nënës surrogate. Nëna surrogate, pra gjyshja, nuk ka lidhje gjenetike me foshnjën sepse nuk është përdorur veza e saj.
Një tjetër rast është edhe ai i modeles shqiptare, Angela Martini, e cila ka zgjedhur për arsye personale të sjellë në jetë fëmijën përmes një nëne surrogate.
Ajo është nënë e një djali, Kyree, i cili erdhi në jetë nga një nënë surrogate. Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, modelja zbuloi disa detaje për shtatzëninë e veçantë.
“Për shumë arsye personale, vendosëm që fëmijën tonë ta lindte një nënë surrogate,” tha Angela. “Unë e di sa e pazakontë është një procedurë e tillë në Europë përsa i përket ligjit dhe kulturës.” Martini u shpreh se falë zhvillimit të shkencës, ajo dhe partneri i saj, Drago Savulescu, qenë në gjendje të zgjidhnin gjininë e fëmijës. Si është e mundur?
Procedura njihet si përzgjedhja e gjinisë dhe bëhet gjatë fekondimit in vitro (IVF). Chrissy Teigen ka zbuluar gjithashtu pesë vjet më parë se zgjodhi të kishte një vajzë kur iu nënshtua fekondimit in vitro. IVF është procesi ku një vezë hiqet nga trupi i një gruaje dhe fekondohet nga sperma në një laborator për të krijuar një embrion. Falë IVF, teorikisht prindërit kanë mundësinë “të zgjedhin” gjininë e foshnjës, ndonëse në fakt bëhet fjalë për një proces të ndërlikuar.
Përpara se një embrion të vendoset në mitër (qoftë ajo e nënës biologjike ose e një nëne surrogate), shumica e klinikave të fertilitetit kryejnë ekzaminimin gjenetik të paraimplantit për të parë nëse ka ose jo çrregullime gjenetike serioze ose fatale. Ky ekzaminim bën një vëzhgim të detajuar për përbërjen e kromozomeve të embrionit për të përcaktuar nëse është mjaftueshëm i shëndetshëm për fazat e mëtejshme. Si pjesë e këtij shqyrtimi, mjekët janë gjithashtu në gjendje të identifikojnë gjininë e embrionit/eve.
Megjithatë, mjekët theksojnë se prindërit mund të jenë në gjendje të zgjedhin gjininë e foshnjës vetëm nëse janë dy embrione (pra vajzë dhe djalë) njësoj të shëndetshme. Shumica e mjekëve të fertilitetit do të inkurajojnë prindërit për përzgjedhjen e embrioneve me cilësi më të lartë, pavarësisht nga gjinia.
A është ide e mirë apo e keqe? Ka mendime të ndryshme. Disa kritikë shqetësohen për paragjykimet e mundshme në zgjedhjen e gjinisë, ndërsa të tjerë besojnë se është një vendim personal që u takon prindërve.