Social Buzz

Pse nuk duhet të merrni (gjithnjë) këshilla për shëndetin mendor nga rrjetet sociale

Shkruar nga Anabel

20 Maj 2024

Pse nuk duhet të merrni (gjithnjë) këshilla për

Le ta pranojmë që rrjetet sociale, më shumë se qasjen informuese, kanë si parësore efektin argëtues. Por, besojmë se ju ka ndodhur edhe juve që teksa kaloni nga njëra video në tjetrën, të përballeni edhe me përmbajtje ku jepen këshilla të ndryshme për probleme të shëndetit mendor, nga depresioni, ankthi etj.

TikTok-u është një prej aplikacioneve më të përdorura në gamën e rrjeteve sociale, por ekspertët thonë se kjo platformë është vendi ku shpalosen një mori idesh për receta ushqimi, për stilin e jetës, ngjarjeve humoristike, ndërsa pjesa e këshillave për t’u përballur me sfidat e shëndetit mendor duhet të merren gjithmonë me rezerva.

Rreziqet e marrjes së këshillave për shëndetin mendor nga TikTok:

Një studim i vitit 2022 nga platforma e kujdesit shëndetësor virtual PlushCare analizoi 500 video të shëndetit mendor në TikTok, për të zbuluar nëse përdoruesit e aplikacionit ishin në rrezik të keqinformimit. Ajo që studiuesit gjetën ishte se 84% e videove kishin fakte të gabuara në to.

Platforma Plushcare vuri në dukje faktin se:

“Ndërsa krijimi i përmbajtjes rreth shëndetit mendor mund të ndihmojë në zvogëlimin e paragjykimeve, kjo ka dhe anë negative, të tilla si vetëdiagnostikimi dhe parandalimin e njerëzve që të kërkojnë ndihmë profesionale.”

Më e rëndësishmja, 100% e përmbajtjes për sëmundjen ADHD (Defiçit i Vëmendjes dhe Çrregullim Hiperaktiv) përmbante informacione të gabuara. Kjo u pasua nga çrregullimi bipolar i cili kishte 94% keqinformim dhe depresioni në 90%.

Si ta kuptoni nëse dikush në mediat sociale është ekspert i shëndetit mendor:

Sipas “University of Colorado”, përdoruesit e mediave sociale duhet të ndjekin këto hapa për t'u siguruar që po marrin këshilla të sakta:

-Shihni personin: Kush po jep këshilla apo po bën postime? Cila është origjina e tyre? A është një profesionist/e e vërtetë apo është nga ato persona që thonë se lëngu i selinosë shëron PTSD (Çrregullim i Stresit Post Traumatik)

-Të dhënat: A mbështeten të dhënat në shkencë dhe referenca aktuale? Kontrolloni në mënyrë specifike për termat, çdo gjë për të cilën flitet sepse ka shumë mundësi që të detajet të mos jenë të konfirmuara

- A bazohet vërtet te sëmundjet mendore? Realiteti i sëmundjes mendore është se nuk ka një zgjidhje të shpejtë ose një qasje të vetme për trajtimin afatgjatë.

Artikuj të sugjeruar: