Olta Gixhari u dha mundësinë njerëzve që ta pyesnin në Instagram-in e saj dhe një prej pyetjeve lidhej me depresionin postpartum (pas lindjes së fëmijës). Olta u shpreh:
“Nuk kam kaluar postpartum, herën e parë pothuajse fare. Herën e dytë jam bërë pak më e ndjeshme, mund të kem ndonjë krizë të lehtë emocionale, por ia dal ta menaxhoj shumë mirë. I flas shumë vetes sime, trurin e ke vetë në dorë, drejtoje në rrugën e duhur dhe ndaloje veten duke i thënë “Jo”. E keni vetë çdo gjë në dorë!”.
Megjithatë, depresioni postpartum nuk lidhet veç me “t’i flasësh pozitivisht vetes” dhe “të komandosh trurin tënd”. Në fakt, depresioni pas lindjes së bebushit mund të mos i prekë disa nëna, por kjo nuk e zvogëlon aspak ndikimin që ka në jetën e atyre që e kanë përjetuar/e përjetojnë.
Fillimisht, për Oltën e për të gjithë, le të shpjegojmë se ç’është depresioni postpartum!
Lindja e një bebeje sjell jo vetëm ndryshime drastike në jetën e prindërve, por edhe emocione të forta, të cilat variojnë që nga gëzimi i papërshkrueshëm tek ankthi, frika e pasiguria. Gjithashtu, mund të rezultojë edhe në depresionin postpartum, i njohur edhe si “baby blues”. Depresioni pas lindjes ka luhatje humori, ankth, vështirësi për të gjetur, të qara të vazhdueshme, mendime negative, si dhe në disa raste mungesë dëshire për të kaluar kohë me të porsalindur dhe ide që t’i bësh keq vetes apo fëmijës.
Depresioni pas lindjes përkon edhe me vështirësinë në marrjen e vendimeve; në çrregullim ekstrem të orarit të gjumit dhe ndjesi të forta ankthi që të bëjnë të mos flesh as kur fle fëmijë; në stres e trishtim të vazhdueshëm.
Në disa raste, sidomos kur mendon të lëndosh fëmijë ose/dhe veten, duhet të kontaktosh me një mjek të specializuar.
E kemi thënë e stërthënë që ky depresion prek edhe burrat, të cilët ndonëse nuk e lindin vetë fëmijën, përballen gjithashtu me një sërë ndryshimesh të mëdha në jetën e tyre. Nisur nga ulja e nivelit të testosteronit, burrat mund të përjetojnë gjithashtu ankth dhe depresion.
Shtoji kësaj pasoja të tjera si stresi kronik, ushqyerja e parregullt dhe mungesa e gjumit, edhe ata i kanë të gjitha gjasat të kalojnë një episod depresioni, që në pakujdesi mund edhe të shndërrohet në depresion kronik.
Depresioni postpartum mund të lidhet edhe me një presion të vazhdueshëm që prindërit e rinj kanë nga familjarët apo vetë shoqëria. Pritshmëritë e larta ndaj mamasë dhe babait, që të kujdesen për fëmijën në një mënyrë të caktuar, janë zakonisht shumë larg realitetit të një jete pa gjumë, me kequshqyerje dhe hutim, ku prindërit e kanë tepër të vështirë të bëjnë çdo gjë në përsosmëri, me gjithë ngarkesën që vjen befas në jetën e tyre.
Për t’u rikthyer te deklarata e Oltës, depresioni, qoftë postpartum apo jo, nuk është thjesht një kontroll mendimesh, por një gjendje shteruese, e cila sigurisht që nuk duhet neglizhuar duke këshilluar veten. Fatmirësisht për Oltën, ajo s’e ka njohur depresionin pas lindjes, por shumë nëna të tjera, të famshme apo jo, e kanë njohur dhe kanë folur hapur për ndjesitë e tyre.
Rishtazi, Zamira Kita tregoi se ka përjetuar depresion pas lindjes, duke u shprehur:
“Një problem që kam diskutuar (ka qenë) depresioni që kam kaluar pas lindjes. Kam zgjedhur ta ndaj me publikun dhe e kam bërë me vetëdije të plotë, sepse ka shumë gra që e kalojnë dhe duhet ta dinë se do kohën e vet që të kalojë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Natën me Aulonën”, duke theksuar se i ka zgjatur 40 ditë.
“Është një luftë që ti do ta bësh vetë dhe do i lësh kohë që të kalojë”, u shpreh aktorja, duke shtuar se nuk e ndihmoi asgjë. “Ndoshta psikologu do të më kishte ndihmuar, por unë isha në një fazë që nuk dëgjoja dot askënd dhe nuk komunikoja dot me njeri. Isha e mbyllur në vetvete”.
Zamira tha se askush nuk e ka besuar në këtë periudhë dhe se njerëzit e afërt mendonin se përkëdhelej. “Edhe Beni (bashkëshorti), sado që përpiqej të më besonte, prapë i dukej sikur e ekzagjëroja”, nënvizoi.
Aktorja tha se asokohe doli nga rutina e saj dhe se lidhja me bashkëshortin nuk ishte si më parë. Zamira u shpreh se u sëmur në atë periudhë dhe se vetëm nëna e një shoqeje e vizitoi dhe i këshilloi familjarët që të kujdeseshin për të.
Aktorja pranoi se ka pasur momente kur ka menduar t’i bëjë keq vetes. E pyetur nga Aulona, Zamira tha se “po, e kishte menduar” diçka të tillë.
“E vetmja gjë që më qetësonte ishe kjo rrugëzgjidhje, që kur e mendoja, thoja se e kisha një shpëtim. Më qetësonte dhe mendoja se të paktën do i jepja fund dhimbjes. Nuk kisha dhimbje fizike, por një ankth që më mbyste”, duke vijuar se i kupton shumë mirë njerëzit që kalojnë depresionin, qoftë ai pas lindjes ose jo.
Edhe Einxhel Shkira ka folur për një tematikë të tillë, duke u shprehur: “Mendoj se të gjitha e kalojmë...thjesht secila nga ne e përjeton dhe proceson në mënyrën e saj këtë lloj depresioni.”
Mandej, shtoi:
“E di që është e vështirë dhe e keqja është që vetëm ne mund ta kuptojmë njëra-tjetrën, por do t’ju këshilloja ta përqëndroni të gjithë dashurinë te bebi dhe mirëqenia e tij dhe tek asgjë tjetër, asnjë shqetësim tjetër dhe asgjë rrotull”.
Shkurt e qartë, siç thamë edhe më sipër, nuk duhet të zvogëlojmë ose neglizhojmë një përvojë të paprovuar.