Marredhenie

6 gjërat për të cilat debatojnë më shpesh fëmijët e rritur me prindërit

Shkruar nga Anabel

6 Korrik 2024

6 gjërat për të cilat debatojnë më shpesh
FOTO: SUPERSIZER VIA GETTY IMAGES

Prindërit dhe fëmijët nuk është çudi që të “kapen” herë pas here, pavarësisht marrëdhënies së tyre, qoftë ajo e fortë apo e tensionuar. Debatet janë të ndryshme dhe mbi të gjitha për tematika nga më të zakonshmet tek vendimet më personale.

Por, sipas terapistes së familjeve Brianne Billups Hughes që ka folur për HuffPost, në mesin e argumenteve të shumta mes tyre janë gjashtë që dallojnë si më tipiket.

#1 Traumat e fëmijërisë

Mund të jetë e vështirë për prindërit që të përballen me gabimet e tyre të së kaluarës dhe të pranojnë se se këto veprime kanë ndikuar negativisht tek fëmija i tyre me kalimin e kohës. Prindërit shpesh duan mirënjohje për sakrificat e shumta që kanë bërë për fëmijët dhe përpiqen të dëgjojnë se çfarë kanë për të thënë fëmijët, për shkak të ndjenjave të fajit, mohimit ose besimit se këto probleme duhet të lihen në të kaluarën. Por, terapistja thotë se mirë është që pavarësisht dhimbjes apo trishtimit që këto biseda shkaktojnë, realisht duhen diskutuar.

#2 Përcaktimi i kufijve

Vendosja e kufijve me prindërit mund të jetë e vështirë për fëmijët e rritur. Kërkon këmbëngulje, por edhe një qasje të duruar, gjithmonë nëse ka dëshirë për të ruajtur marrëdhënien. Respektimi i këtyre kufijve mund të jetë një qasje sfiduese për prindërit që nuk i kuptojnë apo nuk pajtohen dot, por shpesh kufijtë janë domosdoshmëri.

#3 Kritikat për prindërimin

6 gjërat për të cilat debatojnë më shpesh
FOTO: FG TRADE LATIN VIA GETTY IMAGES

Kur fëmijët e rritur krijojnë jetën e tyre bashkëshorte, bashkë me fëmijët, shpesh lind konflikti me prindërit rreth mënyrës se si ata zgjedhin t’i rrisin apo edukojnë ata. Prindërit mund të kritikojnë ose vënë në dyshim vendimet prindërore të fëmijëve të tyre të rritur, duke çuar në tensionim të raporteve. Në përgjithësi, praktika më e mirë është që prindërit të respektojnë vendimet prindërore të fëmijëve të tyre, edhe nëse ata nuk janë dakord.

#4 Mungesa e mbështetjes për partnerin/en e jetës

Nëse prindërit nuk e miratojnë personin me të cilin fëmija i tyre i/e rritur zgjedh të kalojë jetën, kjo mund të shkaktojë përçarje të raporteve. Zgjedhja e partnerit/es së jetës ndodh për shumë arsye, mbi të gjitha aspekti i ndjenjave dhe zemrës. Ndaj, nëse prindërit janë shumë kritikë në gjykimin e tyre apo ca më keq poshtërimin e njeriut me të cilin fëmija i tyre ka zgjedhur të kalojë jetën, atëherë raporti do të vazhdojë të jetë edhe më i përçarë.

#5 Gjykimi i vendimit për të pasur ose jo fëmijë

Po bëhet gjithnjë e më e zakonshme që të rriturit të jenë beqarë dhe/ose pa fëmijë sipas dëshirës, ??kjo për shumë arsye. Ka njerëz që i japin shumë vlerë lirisë dhe pavarësisë dhe nuk duan ta kanalizojnë energjinë dhe jetën te rritja e fëmijëve, por te përkushtimi në marrëdhënien në çift. Por, këto vendime shpesh sfidojnë sistemet e besimit të prindërve dhe normat e tyre shoqërore. Nëse një prind përpiqet t'ju bëjë presion që të martoheni ose të keni fëmijë, mund të provoni t’i përgjigjeni sipas mënyrës suaj pasi është e drejtë.

#6 Vënia në diskutim e karrierës

Debatet rreth karrierës mund të lidhen me mungesën e një pune të fëmijës, paqëndrueshmërinë në një vend pune etj. Shumica e njerëzve nuk kanë një karrierë lineare, sepse kjo varet nga shumë faktorë që nga shkollimi deri te performanca në punë. Detyra e prindit është që të tregohet mbështetës dhe nxitës për të mirën në aspektin e punës dhe jo gjykues.

Artikuj të sugjeruar: