Të gjithë e kemi përjetuar xhelozinë në një moment të jetës sonë. Askush nuk planifikon të bëhet xheloz, por ky emocion shpesh del në pah kur një nga miqtë tanë ka diçka që ne dëshirojmë, ose dikush është në një marrëdhënie që ne do të donim të kishim. Në rastin më të zakonshëm, kur partneri/ja bën diçka që ne e sinjalizojmë si veprim të tepruar me dikë tjetër.
Xhelozia, ashtu si të gjitha emocionet e tjera njerëzore, nuk është një përvojë e pazakontë. Është veçanërisht e zakonshme nëse ndiheni të pasigurt për atë që keni, nuk po merrni atë që dëshironi ose jeni të shqetësuar se nuk do të arrini jetën që dëshironi.
Megjithëse është normale të përjetoni disa ndjenja xhelozie, shumë njerëz e përjetojnë atë si një ndjesi kalimtare, por disa të tjerë e përjetojnë në një mënyrë që bëhet shkatërruese për marrëdhëniet e tyre. Ndryshe nga emocionet e tjera, xhelozia zakonisht nuk sjell rezultate pozitive. Nëse nuk trajtojmë ndjenjat e thella të xhelozisë, ato marrin kontrollin e mënyrës se si ne ndërveprojmë me të tjerët, si mendojmë për marrëdhëniet tona dhe si funksionojmë në përditshmëri.
Kur jeni të përqendruar në atë që të tjerët mund të kenë, nuk po punoni për qëllimet apo rritjen tuaj personale. Menaxhimi i ndjenjave të xhelozisë mund t'ju ndihmojë të keni një jetë më të kënaqshme.
Hapi 1: Të kuptoni që xhelozia po ndikon negativisht në jetën tuaj
Ndoshta po lundroni në rrjetet tuaja sociale dhe ndiheni të përfshirë nga xhelozia kur shihni një ish në fotografi me partneren e tij të re. Ose shihni fotografi të miqve tuaj, duke u argëtuar në një ngjarje ku ju duket se nuk jeni ftuar. Për disa njerëz, është një ndjenjë e përgjithshme që të tjerët kanë një jetë që ju nuk e keni, por që dëshironi. Mbase shtëpia e tyre është më e madhe dhe më e bukur, ata bëjnë pushime të bukura, ose kanë një familje që ju do të dëshironit të kishit.
Cilado qoftë arsyeja, ju e vini re se kur ndërveproni me njerëz që kanë gjëra që ju nuk i keni, e keni të vështirë të ndiheni të lumtur për ta, ose fiksimi juaj me marrëdhënien e re të ish-it tuaj po ju pengon të ecni përpara dhe të gjeni dikë të ri.
Bëjini vetes një nder! Pranoni që xhelozia juaj është një shenjë që jeni të pakënaqur dhe është e rëndësishme ta njihni këtë. Ajo gjithashtu tregon se po përballeni me pasiguri. Ky hap është i nevojshëm për të filluar procesin e ndryshimit.
Hapi 2: Reflektimi mbi nevojat dhe dëshirat tuaja
Kur përballeni me xhelozinë e pakontrolluar, duhet të pyesni veten nëse gjërat që dëshironi, (që të tjerët kanë), do t'ju bënin me të vërtetë të lumtur. Duhet gjithashtu të pyesni veten çfarë ju pengon të arrini atë që do t'ju bënte të lumtur. Pastaj pyesni përsëri veten nëse marrja e asaj që mendoni se dëshironi do të jetë e mjaftueshme për t'ju sjellë paqe dhe kënaqësi.
Për shembull, nëse shoqja juaj më e mirë po martohet dhe ju jeni xheloze sepse ajo ka gjetur dikë dhe ju nuk e kuptoni pse nuk keni gjetur një partner po aq perfekt sa të sajin, pyesni veten: “A keni nevojë për një partner romantik për të qenë me të vërtetë e lumtur?”; “Çfarë mund të bëni për të gjetur një partner që ju përshtatet?”; “A do të jetë një shok jete zgjidhja për jetën tuaj të ëndrrave, apo ka gjëra të tjera që keni nevojë të keni apo të arrini?”. Analizoni vlerat tuaja dhe përqendrohuni në rritjen dhe të ardhmen tuaj.
Ndërsa shikoni se si flitet për jetën perfekte në rrjetet sociale ose ndërveproni me njerëz për të cilët jeni xhelozë, vini re se ju vetëm shihni një pjesë sipërfaqësore të jetës së tyre dhe atë që ata zgjedhin të ndajnë. Ata mund të ndajnë momentet e lumtura dhe detajet e bukura sepse duan që ju të besoni se janë të lumtur. Mos lejoni xhelozinë të ndikojë në jetën tuaj!
Artikuj të sugjeruar: