Sipas asistentit të arrestuar të aktorit të ndjerë, Matthew Perry, ky i fundit i kërkoi shumë doza ketamine në ditën kur ndërroi jetë. Asistenti, i shpallur fajtor për vdekjen e aktorit të “Friends”, dëshmoi para hetuesve, duke thënë se Perry i kishte kërkuar që t’i jepte një dozë ketamine.
Kenneth Iwamasa u shpreh se i dha një dozë në orën 8:30 të mëngjesit dhe më pas, 4 orë më vonë, teksa ishte duke parë një film, Perry i kërkoi edhe një tjetër dozë. 40 minuta më vonë, kërkoi edhe një dozë më të lartë. “Më bëj një dozë më të madhe”, supozohet t’i ketë thënë Perry asistentit, duke shtuar se donte që t’i bënte gati vaskën.
Kenneth ia bëri gati dhe shkoi për të kryer disa detyra. Kur u kthye, e gjeti Perry-n përmbys në xhakuzi. Aktori u gjet i mbytur në vaskë, në shtpëinë e tij në Los Angeles më 28 tetor 2023. Në autopsinë e bërë më vonë, rezultoi se Perry ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare për shkak të ketaminës.
Ketamina është një anestetik që përdoret për trajtimin e depresionit. Buprenorfina, një opioid që përdoret shpesh për të trajtuar personat që janë të varur nga heroina, gjithashtu kontribuoi në vdekjen e Perry-t, zbuloi raporti.
Falë një hetimi të detajuar, u zbulua se në vdekjen e Matthew Perry kishin gisht disa persona, të cilët i dinin pasojat e shitjes dhe injektimit të ketaminës për shëndetin e aktorit, por sërish, me qëllim përfitimet monetare, ia shitën atij. U arrestuan 5 njerëz, të lidhur me vdekjen e Perry-t, mes tyre edhe asistenti, dy mjekët Mark Chavez dhe Salvador Plasencia, shitësja e drogës Jasveen Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, si dhe Erik Fleming.
Ditët e fundit të Perry-t u përshkruan si “ditë në kërkim të më shumë dozave të substancës narkotike”, sipas raportit policor. Gjatë këtyre ditëve, 5 personat e arrestuar, përfituan nga varësia e aktorit për t’u pasuruar.
Zyrtarët thanë se Perry u bë gjithnjë e më i varur nga ketamina dhe ai u detyrua t’u drejtohej shitësve të paligjshëm, pasi nuk u aprovua kërkesa e tij për të marrë ketaminë nga një klinikë lokale. Raporti shprehu se varësia e Perry-t ishte kërcënuese për jetën, pasi aktori u gjet disa herë më parë pa ndjenja dhe kishte vështirësi në të folur dhe në lëvizje pas injektimit të dozës.
Sipas deklaratës së Iwamasa-s, pjesë e punës së tij ishte të koordinonte takimet e mjekut të Perry-t dhe të sigurohej që ai të merrte ilaçet e tij. Iwamasa tha se ai u prezantua me Plasencia si një burim që siguronte drogën. Plasencia në një moment kishte diskutuar me mjekun tjetër të akuzuar në këtë rast, Chavez, se sa para mund të fitonin nga Perry, sipas dokumenteve të gjykatës. Prokurorët pretendojnë se Chavez ka furnizuar aktorin me 22 shishe me ketaminë dhe tableta ketamine përmes një recete të rreme.
Artikuj të sugjeruar: