Celebrity

Thuhet se arrestimet për vdekjen e Matthew Perry kanë sjellë trishtim te miqtë e tij

Shkruar nga Anabel

20 Gusht 2024

Thuhet se arrestimet për vdekjen e Matthew Perry kanë sjellë
Getty Images


Gjatë kësaj jave u bë me dije se 5 persona, mes tyre edhe asistenti personal i Matthew Perry, janë arrestuar në lidhje me vdekjen e tij. Perry ndërroi jetë në xhakuzi, në shtëpinë e tij, më 29 tetor 2023. Autopsia zbuloi se në trupin e tij kishte një sasi të lartë ketamine dhe u bë një hetim më i detajuar për vdekjen e aktorit. Si rrjedhojë e hetimit, u arrestuan 5 persona, të cilët përfituan nga varësia e aktorit të ndjerë, për t’u pasuruar.

Sipas Times, të arrestuarit janë Jasveen Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës” dhe mjeku Salvador Plasencia, i njohur me nofkën “Dr. P”. Dyshja akuzohet për komplot për shpërndarjen e ketaminës; shpërndarjen e ketaminës duke rezultuar në vdekjen e personit; posedim me qëllim të shpërndarjes së metamfetaminës; ndryshim dhe falsifikim të të dhënave, në lidhje me hetimin federal. Kenneth Iwamasa, asistenti personal i Perry, u akuzua për shpërndarjen e ketaminës. Gjithashtu, Mark Chavez, një mjek dhe Erik Fleming, një i njohur i Perry, u akuzuan, pasi rezultoi se ishin pjesë e këtij rrjeti.

Të gjitha këto arrestime kanë sjellë ndjesi trishtimi dhe pikëllimi te miqtë e aktorit të ndjerë, thotë një burim për People.

“Matthew kishte miq të vërtetë, që e donin dhe interesoheshin për të. Ata do ta kishin ndihmuar nëse ai do të komunikonte me ta. Ata janë mërzitur që Perry ishte i rrethuar nga përfituesit”.

Dokumentet e gjykatës zbuluan mesazhe me tekst të dërguara midis Plasencia-s dhe Chavez-it, në të cilat i pari diskutonte blerjen e ketaminës për t'ia shitur viktimës, pra, Perry-t. Në mesazhe, Plasencia shkroi: “Pyes veten se sa para do të paguajë ky idiot” dhe “le ta zbulojmë”.
Perry u gjet i vdekur në një xhakuzi në shtëpinë e tij në Los Anxhelos në tetor 2023. Zyra e ekzaminuesit mjekësor të Los Anxhelosit përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte "efektet akute të ketaminës".

Ai tha se mbytja, sëmundja e arterieve koronare dhe efektet e buprenorfinës, e cila përdoret për të trajtuar çrregullimin e përdorimit të opioideve, ishin faktorë kontribues. Në autopsi u gjetën nivele të ketaminës në gjakun e tij të ngjashme me nivelet e përdorura gjatë anestezisë së përgjithshme. Perry, kishte diskutuar historinë e tij me abuzimin e substancave, të cilat ai tha se filloi në moshën 14-vjeçare dhe u shtuan gjatë rolit të tij në serialin “Friends”.

Artikuj të sugjeruar: