Ish-asistentja e Kanye West, Lauren Pisciotta, e ka akuzuar reperin se ai e ka droguar dhe sulmuar seksualisht, ndërsa ishin në studio muzikore bashkë me Sean “Diddy” Combs. Modelja pretendon se gjatë periudhës që ishte me ta, ka konsumuar një pije që ishte e përzier me një drogë të paidentifikuar. Padia është paraqitur në Gjykatën e Lartë të Los Angeles, më 8 tetor.
Sipas Lauren, West urdhëroi që asaj t’i shërbehej kjo pije. Sa i përket “Diddy-t”, ai përmendet në padi, por nuk akuzohet për ndonjë sulm. Sipas Pisciotta-s, ajo u përjetoi ndjesi çorientimi dhe nuk mund ta kontrollonte trupin dhe nuk mund të fliste, pas konsumimit të pijes. Të nesërmen në mëngjes, ajo pretendon se e ndiente trupin të rëndë dhe ishte e sëmurë.
Pisciotta e ka paditur edhe më parë reperin për ngacmim seksual dhe largim të padrejtë nga puna. Ajo pretendon se më vonë e ka mësuar se ç’i kishte ndodhur atë natë në studio, pasi Kanye i kishte thënë se më parë “kanë pasur intimitet”, referuar pikërisht asaj mbrëmjeje.
Kanye, kur supozohet se ka ndodhur sulmi, ka qenë i martuar me Kim Kardashian, e cila, sipas padisë, e akuzonte reperin për tradhti me Pisciotta-n.
“Deri sa ndodhi ajo bisedë dhe u zbuluan faktet dhe veprimet të ndërmarra atë natë, paditësja nuk e dinte ose nuk mendonte se ishte sulmuar seksualisht. Paditësja pretendonte se ishte droguar nga ndonjë asistent në studio, ndoshta ishte turpëruar dhe kishte fajësuar veten”, thuhet në padi.
Shtohet se ish-asistentja ndihej “e mpirë dhe e neveritur” nga rrëfimi i Kanye-s dhe raportoi se e dinte që në atë moment se duhej të largohej nga puna. Megjithatë, ajo duhej të ishte "jashtëzakonisht e kujdesshme" në mënyrën se si distancohej, sipas ankesës, pasi besonte se do të kishte hakmarrje kundrejt saj. Pisciotta pretendon se u pushua nga puna pak pas kësaj. Ajo thotë në padinë e saj, e cila fillimisht u paraqit në qershor, se ajo nuk mori kurrë 3 milion dollarët që duhej të merrte si shpërblim.
Në padinë e saj, modelja e OnlyFans, pretendoi se kishte marrë mesazhe vulgare nga West në disa raste. Pisciotta gjithashtu tha se kishte marrë foto intime të “punonjësve aktualë dhe të mëparshëm” të Yeezy — si burra ashtu edhe gra — nga West.
Përveç kësaj, ajo shprehet se kishte parë reperin e "Gold Digger" të masturbohej pranë saj para se të flinte. Ai thuhet se ishte zemëruar me të pasi ajo kishte refuzuar përpjekjet e tij për të “dalë ose për të bërë seks” me të.
Avokatët e West e kanë hedhur poshtë më parë akuzat e Pisciotta-s, duke i cilësuar si "të pabaza", duke pretenduar se në fakt, ajo e kishte ‘përndjekur’ Kanye-n për të marrë përfitime nga ai. Avokatët pretenduan se Pisciotta e kishte shantazhuar West kur “përpjekjet e saj ishin refuzuar.”
“Para largimit të saj si asistente, znj. Pisciotta kishte vjedhur celularin e tij në një përpjekje për të shkatërruar regjistrimet telefonike që do të kundërshtonin pretendimet e saj, por ato janë ruajtur të gjitha”, u shpreh pala mbrojtëse.
“Ajo u pushua nga puna për mungesë kualifikimi, kërkimin e shumave të paarsyeshme të parave (përfshirë një pagë vjetore prej 4 milion dollarësh) dhe për incidente të shumta të dokumentuara të sjelljes së saj të shthurur dhe të paqëndrueshme”, vijuan ata, lidhur me pretendimin se ajo ishte pushuar padrejtësisht nga puna.