Albert Dumani, drejtori i programacionit në TV Klan, njoftoi lajmin se seriali më i ri “Leyla,” i cili është bërë viral, do të nisë së shpejti transmetimin në Shqipëri. Seriali flet për një vajzë të braktisur nga njerka pasi babai i saj u rimartua. Leyla kthehet pas disa vitesh për të kërkuar hakmarrje.
Megjithatë, kërkimi i saj shndërrohet në një udhëtim emocional të mbushur me dashuri dhe sfida ndaj gruas që i shkatërroi jetën. Lajmi për këtë serial ka ngjallur menjëherë interesin e publikut, por një detaj ka bërë që shikuesit të shprehin shqetësimin e tyre në rrjetet sociale: do të jetë i dubluar apo me titra?
Ky reagim ka lidhje me serialin e fundit të dubluar nga Televizioni Klan, “Familja,” i cili u prit me kritika të shumta nga publiku. Shikuesit nuk u treguan të kënaqur me përshtatjen në shqip, duke pohuar se dublimi e bëri më të vështirë përjetimin e skenave dhe emocionet e aktorëve. Ata kërkojnë që ky serial mos të përballet me të njëjtin fat, duke shprehur dëshirën e tyre hapur:
“Aman, vetëm me dublime mos i bëni më, se tamam film vizatimor duket. Të shtunën në orën 21:00 e fik TV-në dhe lexoj më mirë sesa të shoh atë ‘Familja’!”
Një tjetër koment: “E keni ndrit’ fare me atë telenovelën me dublim shqip, skandal fare!”; Një komentues tjetër shton:“Vetëm mos na i përktheni në shqip se nuk na pëlqen fare, e duam me titra shqip.”; Dhe më tej, një tjetër përdorues i Instagram-it shton: “Më në fund, sa e kam pritur! Me atë dublimin na e keni shpifur.”
TV Klan ende nuk ka konfirmuar nëse “Leyla” do të jetë i dubluar apo me titra, por mesazhi i publikut mendojmë se është i qartë.
Kjo situatë risjell në vëmendje telenovelën meksikane “Për Ty” (origjinalja “Por Tí”), e cila ishte ndër të parat telenovela të dubluara në gjuhën shqipe dhe u transmetua në vitin 2004. Ky dublim ishte një përpjekje për t’i sjellë publikut shqiptar një eksperiencë më të afërt me gjuhën mëmë, por reagimet e shikuesve ishin të përziera. Shumë prej tyre vlerësuan përpjekjen, por duke theksuar se dublimi zvogëlon origjinalitetin e emocioneve dhe skenave.
Për disa, dëgjimi i zërave të aktorëve në gjuhën e tyre sjell një përjetim më të thellë dhe real të historisë dhe personazheve. Duke marrë parasysh kohën dhe cilësinë e mjeteve asokohe, dublimet në shqip dëgjoheshin të mbivendosura mbi zërat origjinalë, ndaj edhe rezultatit, pavarësisht mundimit që duhet vlerësuar, nuk ishte ai që pritej.
Por, dublimet në shqip pranohen më mirë për filmat vizatimorë, ku shembulli i “Shrek” mbetet ndër më të pëlqyerit. Në këtë rast, dublimi është vlerësuar për cilësinë e tij, duke sjellë humorin dhe personalitetin e personazheve në një mënyrë argëtuese dhe të këndshme për publikun shqiptar, sidomos për fëmijët.
Rishtazi, një tjetër film vizatimor, dublimi i së cilit është pëlqyer, është edhe “Leo”.
Duket se dublimet funksionojnë më mirë kur aplikohen në zhanre që nuk mbështeten kryesisht në aktrim të drejtpërdrejtë dhe nuanca emocionale, por në të folurën ekspresive të animacionit.