“Ti kurrë nuk e njeh vërtet një burrë derisa ndahesh me të!”, thotë një shprehje që shumë raste mund ta kenë vërtetuar. Ndarjet ndonjëherë janë konsensuale, por shpesh herë janë të trishta. Arsyet që çojnë në ndarje, mbi të gjitha kur dy të rriturit kanë edhe fëmijë së bashku, mund të jenë madhore. Por a mjaftojnë këto arsye për të urryer ish-partnerin?
Ndarjet janë gjithmonë të komentuara, sidomos kur bëhet fjalë për personazhet e njohur këtë e dëshmon edhe interesi i publikut për të ditur motivet pas këtij vendimi. Ndonëse nuk duhet të jetë kështu, gjithmonë kërkohet fajtori dhe…këtu nis loja!
Askush nuk dëshiron të mbajë peshën e fajit, ndaj ndonjëherë në një mënyrë të rafinuar e shpesh herë pa takt, disa prej personazheve publike na kanë treguar se nuk njohin limite. Këtë herë do të ndalemi te burrat që kur panë se ish-partneret e tyre ishin në “buzë të greminës” i dhanë një të shtyrë.
1. Ishi që të kthen botën kundër
Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj: Kjo është padiskutim një ndër ndarjet më të bujshme të showbiz-it shqiptar. Një histori dashurie që ishte parë gjithmonë si idealja, referuar edhe dedikimeve në rrjete sociale ndaj njëri-tjetrit, një ditë thjesht mbaroi. Kurioziteti ishte i madh dhe njerëzit si zakonisht u ndanë në kampe: Një pjesë “gjuanin me gurë” Besin dhe pjesa tjetër Xhensilën. Teoritë konspirative u përhapën shumë shpejt me disa që shpreheshin se aktori ishte i alkoolizuar dhe të tjerë që akuzonin Xhensilën për tradhti. Ndërsa kjo e fundit zgjodhi heshtjen, Besi bëri të kundërtën. Ishte ai që konfirmoi publikisht ndarjen që më pas e pasoi me këngën “Mosmirnjohja”.
Le t’i kthehemi historisë nga fillimi. Besi duhet pranuar se mund të ketë ndihmuar Xhensilën në fillimet e karrierës së saj dhe sa ishin bashkë shprehej në mënyrë modeste për këtë, si kundër nuk nguronte të shfaqte krenarinë për ecurinë e asokohe bashkëshortes së tij. Por, dukshëm ky ishte “asi nën mëngë” i tij që i jepte avantazhin në publik. Komenteve të shumta të llojit: “Besi të bëri dhe ti e le”, ai iu dha zë.
“Nga mosmirënjohja, unë të ktheva shpinën
A do mbash mëkatin
A do bësh viktimën”, këndoi Besi.
Teksa rrjeti gëlonte nga komentet e shumta për të gjetur fajtorin, aktori “ushqeu” urrejtjen e publikut me një këngë, ku shfaqej duke vuajtur për dashurinë e humbur si pasojë e mosmirënjohjes. Dhe rezultoi i suksesshëm në këtë “lëvizje”. Kënga pikëlloi të gjithë dhe u bë virale, por sa ia vlen të hedh në greminë nënën e fëmijëve të tu për aprovimin e publikut? Këtë do ia lëm kohës!
Epo, show i tij aq ishte! Tanimë ishte Xhensila ajo që pasi pa gjithçka ai bëri, zgjodhi të jap versionin e saj, në një mënyrë shumë më të rafinuar. Duke u kujdesur të mos lëndonte askënd, të paktën kështu theksoi, ajo la të kuptohej se vendimi i saj për t’u ndarë ishte mungesa e përkushtimit të Besit në familje.
Sipas Xhensilës, marrëdhënia e tyre u kthye vetëm dhënie pa marrë asgjë, ndaj dështoi.
“Ka disa vite që ishim përpjekur të sistemonim pakënaqësitë në martesën tonë me dëshirën për të mos i dhënë fund. Por kriza ka gjithmonë në çift. Ne nuk e kishim ndarë akoma nëse donim të ishim ndarë apo bashkë. Por mendoj se në çdo marrëdhënie kur veprat me fjalët nuk kanë shumë përputhshmëri, kur në marrëdhënie ka debate, bëhet toksike. Bëhet e dëmshme për mua, fëmijët, edhe për të. Kështu unë mora vendimin për t’u ndarë. Në çift duhet bashkëpunim, duhet punë nga dy partnerët. Kam kuptuar që nuk duhet të luftojë veç njëra palë, por nga të dyja. Ishte një vendim i marrë nga unë. Më duhej mua ta bëja si hap pasi nuk shihja asnjë mundësi tjetër. Nuk është i lehtë divorci. Disa hapa sado e vështirë të jetë, duhet gjetur guximi për t’i marrë. Unë e gjeta forcën te fëmijët e mi, sepse doja që në të ardhmen fëmijët të kishin qetësi.”, shprehu ajo.
Referuar këngës “Mosmirënjohja”, Xhensila theksoi se ajo ishte një lëvizje e zgjuar për të tërhequr vëmendjen.
Ndonëse theksoi se në asnjë moment nuk e ndjeu të ishte dedikim për të, pasi kënga nuk e përshkruante situatën mes tyre, Xhensila theksoi se refuzon të besojë se Besi ka zgjedhur të bëjë një këngë të tillë për të “sulmuar” nënën e fëmijëve të tij. Khem-Khem, pra e vrau me armën e tij.
Në përfundim, ajo theksoi se ai mbetet babai i fëmijëve të saj, ndaj kurrë s’do ushqente vrer ndaj tij, thënë ndryshe: Unë s’do bëj kurrë atë që ai bëri!
2. Ish që kurrë nuk e fal më të quan k*rvë
E lashtë sa vetë jeta! Në emër të dashurisë japim shumë shanse që partnerët të ndryshojnë dhe kur lodhemi së faluri, ndahemi. Fillimisht, kur vendosim të ndahemi pala tjetër nuk na merr seriozisht, pasi janë mësuar t’i falim. Kur e kuptojnë se ndarja po bëhet reale pendohen dhe kërkojnë falje (publikisht) duke premtuar një fillim të ri. Sapo “nuhasin” se nuk ka më kthim pas “kapërdihet” gjithçka është thënë më herët dhe nis poshtërimi publik i ish-partneres me çdo kusht.
Tani, ndaloni dhe mendoni: Kush çift i showbiz-it ju vjen në mendje?
Fero dhe Arbenita: Një gjë është e sigurt, Fero nuk i ka hedhur një sy divorcit para se ta firmoste. Ndryshe, si mund të justifikohet fakti që ai ende nuk e di se ish-bashkëshortja mund të lidhet me kë të dojë pas ndarjes sepse (e dimë që dhemb) është e lirë.
Këngëtari ka publikuar së fundmi, nën sagën e gjatë të poshtërimit publik të Arbenitës, disa foto të kësaj të fundit që shfaqet një në bar së bashku me vajzën e saj dhe një person tjetër të panjohur (mashkull). Ndonëse në atë foto nuk vërehet asnjë afrimitet fizik, Fero pretendon se bëhet fjalë për një lidhje intime mes ish-bashkëshortes së tij dhe personit tjetër. “Real Estate” shkruan ai, duke e vendosur nënën e vajzës së tij në kushtet e dikujt që “sponsorizohet” nga burra të ndryshëm. Pra, siç u thamë në fillim: Ishi që të quan ku*vë!
Mosmarrëveshjet mes tyre kanë qenë të shumta dhe akuzat publike nuk kanë munguar, por një i rritur që dikur i dedikonte partneres vargje dashurie dhe vlerësimi, a nuk mundet të gjejë gjuhën e përbashkët me të? Dhe nëse dështon në komunikim, rrugët ligjore për të mbrojtur interesin më të lartë të fëmijës janë gjithmonë zgjidhja e domosdoshme.
Por, a është në interesin më të lart të fëmijës t’i denigrosh nënën? Siç e thotë dhe Arbenita: Fëmijët rriten shpejt dhe nisin e kuptojnë se kush prind ishte problem!
3. Abuzuesi që bën viktimën
Hipokrizia është një anë e errët dhe negative, por disa e përdorin si të ishte një virtyt. Nuk do t’i biem shumë gjatë këtë herë për të dalë në temë, pasi fjalët nuk e përshkruajnë dot atë që sytë tanë dëshmuan.
E kemi fjalën për “Big Brother VIP Kosova”.
Atilla dhe Drenusha: Me një buzëqeshje rrëzëllitëse, ish-bashkëshorti dhunues (sërish, nuk e themi ne: e ka provuar drejtësia e Kosovës), u shfaq në një format televiziv për t’i dhënë dorën gruas ndaj së cilës kishte ngritur dorë. Duke llogaritur qartë se sa vëmendje do të tërhiqte ky rast, fjalët dhe lëvizjet e tij ishin mëse të mirëmenduara. Vizita e tij e shkurtër ishte një tentativë për të pastruar imazhin, duke harruar se më shumë se gjithçka do të ishtë një thikë pas shpine për ish-partneren.
Duke mohuar vazhdimisht se ka ushtruar dhunë, ai përsëriste se ishte aty për të rivendosur komunikimin me Drenushën dhe kjo për të mirën e fëmijëve të tyre. Deri diku, ai bëri që një pjesë e njerëzve të ndryshon mendim për të që mendojmë se ishte dhe qëllimi pse ishte aty.
Por, cili vlen më shumë: Imazhi para syve të botës apo para fëmijëve të tu?