
Festivali i 63-të i Këngës po afron dhe rrugës po zbulohen detaje lidhur me spektaklin që do të dhurojë ky event i shumëpritur i muzikës nga vetë artistët, por edhe publiku.
Drejtoresha artistike e Festivalit është Elhaida Dani, e cila ka theksuar se i gjithë stafi dhe artistët po punojnë intensivisht për të perfeksionuar performancat e tyre. Skuadrës i janë bashkuar edhe dy producentët, Shpëtim Saraçi dhe Alfred Kaçinari.
Ndërkohë zv.Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së dhe Drejtoresha e Festivalit, Aurora Polo në një deklaratë për mediat theksoi se ky edicion do të sjellë 30 krijime artistike për të cilat po punohet vazhdimisht që të jenë në lartësinë e duhur.
“Këtë vit Festivali i Këngës përfaqësohet nga 30 krijime artistike. Ky festival do zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga 19-22 dhjetor. Si drejtoreshë e këtij festivali falenderoj këtë ekip artistësh dhe profesionalistësh për të sjellë një festival dinjitoz dhe për të kënaqu shikueshmërinë, besnikët, nostalgjikët dhe të tërheqim sa më shumë të rinj pranë Festivalit të Këngës.,” tha ajo.
Nga ana tjetër, Drejtoresha Artistike e Festivalit, Elhaida Dani, theksoi se do të ketë edhe të ftuar, ndërsa i gjithë spektakli do të jetë i ndërthurur mes tradicionales dhe modernes.
“Nuk do të jetë vetëm gara bëjnë element i bukur në këtë festival por ne kemi dhe shumë të ftuar në festival duke nisur nga të ftuar modern dhe ata që kanë dhënë shumë për vendin tonë. Gjeja kryesore që ne duam të bëjmë në këtë festival është të ndërthurim dy element që është modernia me rrënjën e cila është dhe tema e këtij festivali. Rrënjët që na kthejnë në atë që na ka bërë kush jemi sot, rrënjët që na rrisin dhe na kthejnë në degët dhe lulet që të lulëzojmë dhe të krijojmë artin e të ardhmes. Kam shumë emocione dhe jam shumë e lumtur dhe shpresoj shumë që do shkoj çdo gjë mirë ”, u shpreh drejtoresha Dani.
Magjia e spektaklit do të jetë nën regjinë e Redi Trenit.
Ndërkohë, moderimi i këtij eventi aq të rëndësishëm muzikor i është besuar këtë vit Enkel Demit dhe Ornela Bregut.
Bashkë-moderatorë në zonën e këngëtarëve do të jenë Dalina Buzi me ekipin e saj të “Andale”.
View this post on Instagram
Për herë të parë, ky festival do të prezantojë një sistem votimi të zgjeruar, ku do të përfshihet edhe diaspora, e cila do të ketë mundësinë të votojë për këngën fituese.
Po ashtu, ky vit do të sjellë një ndryshim të madh: do të ketë një fitues të vetëm, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision. Sipas organizatorëve ky ndryshim ka si qëllim thjeshtimin e procesit.
Edicioni i 63 i Festivalit të Këngës në RTSH do të zhvillohet nga data 19 deri në 22 dhjetor në sallën e madhe të Pallatit të Koncerteve.
Artikuj të sugjeruar: