Showbiz dhe TV

Ledion Liço zbulon detaje të pathëna për “BBVA4”

Shkruar nga Anabel

21 Dhjetor 2024

Ledion Liço zbulon detaje të pathëna për

 

Sot, në orën 21:15, nis sezoni i shumëpritur i “Big Brother VIP 4” dhe ndërsa numërojmë orët deri në premierë, Ledion Liço, ka zbuluar disa detaje interesante në një intervistë për “Shqipëria Live”.

Duke folur drejtpërdrejt nga shtëpia e famshme e “Big Brother-it”, Ledioni ndau emocionet e përgatitjeve finale dhe një surprizë që mund të jetë pikërisht ajo që duhet për të shkundur formatin: Shkëmbim banorësh me “Grande Fratello”!

“Qëllimi është që të bëjmë një ndërrim, pra shkëmbim të një banori të Big Brother-it tonë, me një banor të Grande Fratello-s,” tha Ledioni, duke shtuar se sfida më e madhe është gjuha. “Të paktën të ketë një nivel të gjuhës për atë që shkon në Itali, që për ne shqiptarët është më e lehtë, sepse italishten e kemi gjuhë të dytë. Por edhe për atë që vjen këtu, duhet të di pak shqip. Edhe nëse s’di, do t’i bëjmë një kurs të shpejtë në avion,” shtoi ai me humor.

Por ka më shumë se kaq. Ledioni e përshkroi spektaklin si një “televizion paralel” që ngrihet për katër muaj dhe punon me intensitet të jashtëzakonshëm. Ai theksoi se mbi 200-300 vetë janë të përfshirë në këtë projekt, me një koordinim të tillë që çdo departament të ndihmojë tjetrin për të sjellë një eksperiencë të paharrueshme për publikun.

Atmosfera e nisjes? Sipas tij është magjike. “Adrenalina e fundit të fillimit” dhe shiu që ra dje, që sipas besëtytnive shqiptare Ledioni na kujton se sjell bereqet.

Për më tepër, ai siguroi se çdo detaj po vendoset me kujdes që spektakli të jetë gati për fillimin madhështor. “E rëndësishme për të gjithë ne është që çdo gjë të jetë gati. Shpresoj që çdo gjë të mbyllet mirë dhe të kemi fat, sepse fati favorizon fitimtarët.”

Dhe nëse kjo ide e shkëmbimit mes banorëve realizohet, mund të jetë një hap historik për formatin, duke e sjellë përvojën shqiptare të “Big Brother-it” në një arenë ndërkombëtare dhe duke na dhuruar emocione të reja.

Artikuj të sugjeruar: