Eja shohim pak Tv

Investigimi i “Piranjat”: Altin Basha dhe e shoqja rezultojnë të kenë abuzuar me fondet

Shkruar nga Anabel

21 Dhjetor 2024

Investigimi i “Piranjat”: Altin Basha dhe e shoqja rezultojnë

Në një investigim të fundit të emisionit “Piranjat”, raportohet se Altin Basha, drejtori i Teatrit Kombëtar dhe bashkëshortja e tij, Iliriana Basha, kanë abuzuar me fondet.

Në vitin 2022, Altin Basha u emërua drejtor i Teatrit Kombëtar. Në vetëm dy vite punë, përmes kërkesave për informacion dhe dokumentave të siguruara nga gazetarët e “Piranjat”, pretendohet se Basha ka bërë shpenzime të tepërta lidhur me shfaqjet teatrore si edhe ka regjistruar të punësuar, dhe rrjedhimisht paguar, persona të afërt të cilët, nuk i kanë kryer në fakt punët respektive.

“Piranjat” raporton se në shfaqjen “Vojçek”, Altin Basha ka punësuar si skenografe dhe kostumografe bashkëshorten e tij, Iliriana Basha. Sipas dokumentave të siguruara nga programi, Iliriana Basha nuk ka marrë asnjë pagesë për punën e saj, pra ka bërë punë vullnetare. Mirëpo, në dosjen e shfaqjes rezulton se ajo ka kërkuar 12 milionë lekë (të vjetra) për kostumet e aktorëve, edhe pse teatri ka një garderobë të pasur të vetën që mund të hynte në punë.

Për pardesytë e aktorëve meshkuj shkruhet se janë paguar 500 mijë lekë, ndërsa për fustanet e aktoreve janë dhënë në disa raste nga 270 mijë lekë.

Rrobaqepësi Musa Fisniku, që tha se ka punuar veshjet për shfaqjen “Vojçek”, për të njëjtën pardesy që Teatri Kombëtar ka paguar 500 mijë lekë, tha për “Piranjat” se kushtonte 200 mijë lekë. 

Më tej, Altin Basha ka punësuar edhe dy persona të afërt të tij, Ervis Saliasin dhe Benada Shutën për të njëjtën shfaqje. Ata kanë punuar më parë në emisionin “Fustanella” të Altin Bashës, i pari si moderator dhe e dyta si skenariste.

Benada Shuta rezulton e punësuar në shfaqjen “Vojçek” si grimiere dhe është paguar 4 milionë lekë për këtë, por ndërkohë Shpresa Vasili, ish-grimiere e Teatrit Kombëtar, tha se grimin te kjo shfaqje dhe gjithë të tjerat e ka realizuar e vetme. Benada Shuta ka dhe një aktivitet të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku shkruhet se vepron si skenariste, asistente regjisore, organizatore dhe producente ekzekutive, por askund si grimiere.

Altin Basha ka vënë gjithashtu në skenën e Teatrit Eksperimental shfaqjen “E kuqe” dhe ka pasur në dispozicion 24 milionë lekë fonde për këtë shfaqje, ku sërish punësoi dhe bashkëshorten e tij.

Shfaqja “E kuqe” ka pasur vetëm dy aktorë, Gentian Zenelaj dhe Urim Aliaj, por rezulton të jetë punësuar një personel me 13 persona për realizimin e saj. Pavarësisht se për çdo shfaqje këta emra bëhen publikë, Teatri Eksperimental nuk e ka pasqyruar këtë informacion, edhe pas kërkesave. 

Në një përballje me gazetaren e emisionit, Altin Basha nuk dha thuajse asnjë përgjigje ndaj akuzave, duke kërkuar takim zyrtar tek Teatri Kombëtar.

Bashkëshortja e tij, Iliriana Basha, nuk pranoi të ketë përfituar nga fondet e kostumeve për shfaqjen “Vojçek”.

“Për këtë fytyrë, kam punuar shumë edhe unë, edhe zoti Altin Basha, se kemi tre fëmijë dhe në vend që të shkojmë diku tjetër e të jetojmë si mbretër, kemi zgjedhur të jetojmë në këtë vendin e ndyrë, të poshtër dhe për të mos vjedhur kurrë asnjë cent, për mos të ngritur kurrë gishtin nga ne, sepse duam ata fëmijët tanë t’i rrisim mirë,” u shpreh e ajo e revoltuar teksa largohej me Altin Bashën prej një premiere në teatër.

Anabel kontaktoi me Iliriana Bashën e cila u shpreh se "nuk ka ndonjë koment shtesë".