Çfarë na tërheq kaq shumë te programet e realitetit?
Besojmë se është e qartë se të gjithë ia japim të drejtën vetes për t’i plotësuar disa kënaqësi si të ndjekurit e atyre që quhen "trash TV shows" (nënzhanër televiziv me fokusin tek polemikat dhe konfrontimet e ashpra), të cilat na bëjnë të ndihemi dhe në faj për t’i pranuar me zë të lartë se i ndjekim rregullisht.
Nuk e mohon dot se ke “shpëtuar” pa parë së paku një episod të programeve televizive më të bujshme në Shqipëri vitet e fundit si “Big Brother Albania”, “Dancing With The Stars” (që së fundmi po orientohet drejt 'trash'-it) apo “Për’Puthen”. Qartësisht, një numër i madh prej nesh i ka ndjekur këto programe, aq sa mund të thuhet se ka krijuar dhe një varësi në ndjekjen e rregullt dhe obsesive të tyre.
Por pse ndodh kjo?
Programet e “realitetit” u ofrojnë shikuesve mundësinë për të shpëtuar nga monotonia e jetës së tyre, për të shpëtuar nga problemet dhe ngarkesat e rrethanave të tyre dhe ofrojnë mundësi për lëshim emocional.
Gjatë kohës që po shohim sfidat dhe konfliktet e njerëzve të tjerë, mund të harrojmë jetën tonë. Gjejmë veten duke menduar, “Mirë, të paktën jeta ime nuk qenka aq e keqe.” Mund të mendojmë edhe, “Ky është kaq i bukur dhe i pasur dhe sërish nuk e ka gjithçka në rregull në jetë” duke u ndjerë mirë për veten tonë.
Sigurisht, ka lloje të ndryshme shfaqjesh televizive të quajtura “reality shows”. Disa programe përqendrohen te situata pozitive. Disa përqendrohen te drama dhe trazirat. Shfaqjet e bazuara te “drama dhe trazirat” duket se janë disa nga më të popullarizuarat.
Ti me siguri ndez televizorin të martave për të parë “Big Brother”-in duke e ditur që ka një mundësi shumë të madhe që do të jesh dëshmitar/e e sherreve, grindjeve të nxehta, ose intrigave.
E krahasojmë këtë me aksidentin e makinave në autostradë, i cili shkakton bllokim të trafikut. Njerëzit nuk e kontrollojnë dot veten, por ndalen dhe shikojnë, sepse është në natyrën njerëzore të jesh i/e magjepsur nga tragjedia dhe konflikti ekstrem. Mund të jetë hipnotizuese të dëshmosh të tilla ndodhi — edhe kur ndodhin në televizion... sidomos kur ndodhin në televizion.
Njerëzit që shikojnë programe të “realitetit” gjithashtu mund të krijojnë “lidhje” me personazhet e tij. Pasi shikuesit mund të jetojnë nën iluzionin se po shohin jetën “e vërtetë” dhe të përditshme të personazheve të shfaqjes, ata mund të bindin veten se i njohin këta personazhe dhe kanë një lloj “marrëdhënieje” me ta.
Çfarë është më e rëndësishme, duke qenë se këto programe janë kaq popullore, shikuesit mund të lidhen me shikues të tjerë që gjithashtu i shikojnë këto shfaqje, duke folur për ngjarjet e këtyre programeve dhe mendimet e njëri-tjetrit për to. Programet e “realitetit” janë, në shumë raste, ndihmuese të krijimit të marrëdhënieve.
Programet e “realitetit” kanë aftësinë të përziejnë informacionin dhe argëtimin. Një nga gjërat që është më tërheqëse për to është se disa programe mund të shihen si eksperimente të sjelljes njerëzore.
Ndërsa është bërë e njohur se programet e realitetit janë në fakt të inskenuara, shumë nga përgjigjet e këtyre personazheve janë realiste. Sigurisht, kjo varet edhe nga lloji i programit.
Këto programe tërheqin natyrën vojeriste në shumicën prej nesh — ne po shikojmë nga “vrima e çelësit” mënyrën se si njerëz të ndryshëm përgjigjen ndaj rrethanave të ndryshme. Këtë e shikojmë si informacion të vlefshëm që mund të na ndihmojë të mësojmë për të tjerët dhe për veten tonë. Si do ta trajtonim NE atë situatë të njëjtë? Dhe pse do të vepronim ashtu?
Siç thotë shprehja, megjithatë, një sasi e madhe nga diçka e vetme nuk është gjithmonë një gjë e mirë. Sipas terapistëve, një masë e caktuar e shpërqendrimit është e shëndetshme. “Shpëtimi” nga jeta jonë na jep mundësinë të rigjallërohemi, në një farë mënyre, duke na mundësuar ta nisim ditën tjetër duke u ndjerë më të energjizuar.
Megjithatë, ka një pikë ku ky “shpëtim” mund të konsiderohet si “ikje” dhe “shmangie”. Nëse kemi probleme ose emocione që duhet të trajtohen, shpëtimi në programet e “realitetit” nuk do t’i zgjidhin këto probleme ose t’i fshijnë këto emocione; një ndër kritikat më të mëdha historike kjo lidhur me krijimin e televizionit në vetvete.
Pasi “Big Brother” të mbarojë, ne duhet të kthehemi në JETËN TONË dhe në PROBLEMET TONA. Pra, çfarë duhet të bëjmë për të balancuar këtë shpërqendrim ndaj realitetit? Ku është balanca e shëndetshme?
Gjej kohë të mjaftueshme për të trajtuar problemet e tua. Kujto se shpërfillja e problematikave nën sipërfaqe nuk i heq ato nga ekzistenca e tyre. Ruaj aq kohë dhe energji për të përballuar problemet e tua dhe për të qenë i/e pranishëm/me në jetën tënde, sa i kushton shpëtimit përmes televizionit dhe/ose çdo forme tjetër strategjie për përballimin e vështirësive. Dhe mos harro, nuk je i/e vetëm/me në gjithë këto situata. ;)
Burime ndihmëse: Weebly, Medium, The Headlight
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.
Artikuj të sugjeruar: