Disa njerëz duket se e kanë shumë të lehtë të rrisin flokë të gjatë dhe plot shkëlqim. Ndërkohë, ka nga ata që ëndërrojnë flokë që bien bukur mbi supe, por, pavarësisht kujdesit maksimal, nuk arrijnë t’i rrisin dot. Ndonjëherë, flokët që dikur rriteshin pa problem papritmas ndalojnë, edhe pse rutina nuk ka ndryshuar fare.
Nëse edhe ju jeni në këtë situatë, është koha të kuptoni më mirë si funksionon rritja e flokëve dhe cilët janë faktorët që mund ta ndikojnë këtë proces.
Si rriten flokët?
Rritja e flokëve është një proces kompleks që kalon në katër faza.
Faza e parë (anagen)
Kjo është faza aktive e rritjes dhe më e rëndësishmja. Flokët rriten nga një strukturë e vogël nën lëkurë e quajtur folikul. Në bazën e këtij folikuli ndodhet një bulëz flokësh, ku qelizat shtyhen drejt sipërfaqes së lëkurës, duke formuar fije të reja flokësh.
Faza e dytë (catagen)
Pas një periudhe rritjeje, flokët ndalojnë së rrituri dhe folikuli fillon të tkurret.
Faza e tretë (telogen)
Në këtë fazë flokët pushojnë dhe përgatiten të bien.
Faza e fundit (exogen)
Fijet e flokëve bien dhe hapet rruga për rritjen e flokëve të rinj.
Rreth 85-90% e flokëve tuaj ndodhen në fazën anagen në çdo moment të caktuar, ndërkohë që të tjerat janë në fazat e tjera. Çelësi për të pasur flokë të gjatë qëndron në kohëzgjatjen e fazës anagen.
Çfarë ndikon te rritja e flokëve?
Gjatësia e flokëve tuaj përcaktohet nga sa gjatë qëndron faza anagen. Kjo fazë mund të zgjasë nga dy deri në shtatë vjet dhe kjo është kryesisht çështje gjenetike. Për shembull, disa njerëz kanë një fazë anagen më të shkurtër, duke bërë që flokët të mos rriten shumë gjatë, pavarësisht sa kujdesen për to.
Gjithashtu, faktorë të tillë si prejardhja etnike ndikojnë te rritja e flokëve. Për shembull, njerëzit me origjinë aziatike zakonisht kanë një fazë anagen më të gjatë dhe flokë që rriten më shpejt krahasuar me të tjerët.
Ndërkohë, faktorë të tjerë si mosha dhe shëndeti mund të ndikojnë gjithashtu. Me kalimin e viteve, faza anagen mund të shkurtohet. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz vërejnë që flokët e tyre nuk rriten aq gjatë sa dikur. Hormonet, shtatzënia, menopauza apo probleme me tiroide janë po ashtu faktorë që ndikojnë te ky proces.
Si mund të ndihmoni rritjen e flokëve?
Edhe pse faktorët gjenetikë luajnë një rol të madh, ka disa hapa që mund të ndiqni për të përmirësuar rritjen e flokëve:
Ushqimi i duhur: Një dietë e pasur me proteina, vitamina dhe minerale si hekuri, zinku dhe biotina është thelbësore për shëndetin e flokëve. Përfshini ushqime si vezët, peshkun, perimet e gjelbra dhe arrat.
Shëndeti i skalpit: Një skalp i pastër dhe i hidratuar është baza për rritjen e flokëve të shëndetshëm.
Menaxhimi i stresit: Stresi mund të ndikojë negativisht në rritjen e flokëve, prandaj është e rëndësishme të gjeni mënyra për t’u relaksuar.
Nëse jeni të kujdesshëm me këto hapa, mund të arrini t’i ndihmoni flokët të rriten më mirë dhe më gjatë, pavarësisht se çfarë ju ka rezervuar natyra.
Burimi: Huff Post
Artikuj të sugjeruar: