Kur menduam se Tik Tok-u do të ishte një kujtim i largët për shqiptarët, duket se gjërat po ndryshojnë. Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Davos me Christine Grahn, drejtoreshën e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Politikën Publike të TikTok-ut për Europën, ka hapur bisedimet për “rikthimin” (edhe pse ende nuk është mbyllur) e platformës në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shpjegoi se shqetësimet që çuan në vendimin për mbylljen e përkohshme të aksesit në TikTok u diskutuan hapur me Grahn. Takimi u përqendrua në mënyrat se si platforma mund të adresojë këto probleme, duke vendosur disa pika bashkëpunimi për javët dhe muajt në vijim. Qëllimi? Rihapja e platformës pasi të jenë garantuar standardet e sigurisë dhe kontrollit.
“Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë,” shkroi kryeministri në Facebook.
Vendimi për mbylljen e TikTok-ut u propozua fillimisht nga Rama pas një mbledhjeje qeverie fill pas ngjarjes së rëndë të regjistruar pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani.
Të kontaktuar asokohe nga Associated Press, përfaqësues të TikTok u përgjigjën duke theksuar se “nuk kishin gjetur asnjë provë që autori ose viktima kishin llogari në TikTok dhe raportime të shumta kanë konfirmuar se në fakt se videot që çuan në këtë incident ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok.