“Faza e bisedës” është faza kur mesazhet të bëjnë të buzëqeshësh dhe zemra të rreh më fort sa herë që shfaqet emri i dikujt në ekran. Por, njëkohësisht, është edhe periudha kur pyetjet e tipit “Çfarë jemi ne?” dhe frika e të bërit gabime janë gjithmonë aty. Faza e bisedës në fillimet e një njohjeje mund të jetë stresuese, por në fakt, është thelbësore për një lidhje të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Çfarë është faza e bisedës?
Mund të thuash se kjo është periudha e “jemi apo s’jemi.” Është momenti kur po njiheni, shkëmbeni mesazhe dhe ndoshta keni nisur edhe takimet e para, por ende nuk ka asnjë titull zyrtar. Ky është një terren i lëkundur, ku gjithçka mund të shkojë drejt një lidhjeje ose thjesht të përfundojë. Për disa, kjo fazë zgjat 3-4 muaj, dhe shpesh është periudha kur vendoset nëse ia vlen të ecni më tej apo jo.
Pse ka rëndësi kjo fazë?
Përtej ankthit dhe pasigurisë, faza e bisedës është një periudhë ku ndërtohet një bazë solide. Ajo ju ndihmon të njihni më mirë njëri-tjetrin, të zbuloni nëse përputheni dhe të përcaktoni nëse marrëdhënia mund të ecë përpara. Nëse e kaloni shumë shpejt këtë fazë, rrezikoni të lidheni me dikë që mund të mos jetë i duhuri për ju. Nga ana tjetër, nëse zgjat shumë, mund të ngecni në një “situationship” që s’ka të ardhme.
Si ta dalloni që po shkoni mirë?
Ka disa shenja që tregojnë se faza e bisedës po ecën në drejtimin e duhur:
• Komunikimi është i këndshëm dhe i vazhdueshëm.
• Të dy tregoni interes dhe bëni plane për t’u takuar.
• Kimia mes jush ndihet si në mesazhe, ashtu edhe kur takoheni.
• Keni shumë të përbashkëta dhe bisedat rrjedhin natyrshëm.
Kur gjërat s’po shkojnë siç duhet
Nëse mesazhet marrin përgjigje pas orësh apo ditësh, planet për t’u takuar dështojnë vazhdimisht, ose ndiheni sikur po mbani gjithçka mbi shpatullat tuaja, ndoshta nuk po ecën ashtu siç duhet. Në këto raste, është mirë të vlerësoni nëse ia vlen të vazhdoni.
Çfarë të bëni nëse biseda ngec?
Mos kini frikë të flisni hapur për ndjenjat dhe pritshmëritë tuaja. Nëse dëshironi të kaloni në një fazë më serioze, mund ta nisni bisedën me fraza si:
• “Më pëlqen shumë koha që kalojmë bashkë dhe do të doja të di se si ndihesh edhe ti.”
• “Unë kam vendosur të fokusohem tek ne dhe të mos dal me persona të tjerë. Si ndihesh për këtë?”
Përfundimi?
Faza e bisedës mund të jetë e pasigurt, por është një hap i domosdoshëm për të ndërtuar një lidhje të fortë dhe të qëndrueshme. Pra, shijojeni dhe mos u ngutni - gjërat e bukura marrin kohë!
Artikuj të sugjeruar: