Nuk është detyra e astrologëve të parashikojnë jetën tonë (dhe nuk munden, për hir të së vërtetës), por nuk duhet të tregohen më të kujdesshëm me mënyrën se si e shpërndajnë informacionin? Përkundrazi, duket sikur astrologët e rrjeteve sociale dhe madje edhe aplikacionet (po të shohim te Co-Star) janë më të interesuar për angazhimin sesa për edukimin.
Si u shndërrua astrologjia në një fenomen modern?
Astrologjia është një praktikë mbi 3000-vjeçare, që daton që nga kohët kur njerëzit nisën të vëzhgonin ciklet astronomike në mijëvjeçarin e tretë p.e.s. Në shekuj, ajo ka marrë forma të ndryshme, dy prej të cilave janë më të njohurat sot: astrologjia vedike dhe ajo perëndimore.
Astrologjia vedike, e bazuar kryesisht te pozicionet e hënës dhe yjësive, fokusohet te fati dhe paracaktimi, duke u përdorur në Indi për të parashikuar suksesin në martesa, biznese dhe aspekte të përditshme të jetës. Nga ana tjetër, astrologjia perëndimore, që mbështetet në pozicionin e diellit në momentin e lindjes, është më e përqendruar te psikologjia, personaliteti dhe karakteri i individit. Të dyja kanë vlerën e tyre, por e vërteta është se astrologjia është shumë më e thellë sesa versioni sipërfaqësor që shohim në rrjetet sociale.
Astrologjia është bërë më e aksesueshme se kurrë më parë, me mbi 43 miliardë shikime vetëm në TikTok. Influencuesit astrologjikë e kondensojnë informacionin në video të shkurtra virale për të tërhequr një audiencë më të gjerë, por kjo shpesh çon në keqinterpretim të informacionit. Kjo mënyrë e komunikimit është një thikë me dy presa: nga njëra anë, ndihmon njerëzit të kenë qasje më të lehtë te astrologjia, por nga ana tjetër, rrafshon konceptet e saj komplekse.
Pse duhet të jemi të kujdesshëm me përmbajtjen astrologjike në rrjetet sociale?
Nëse një influencues ka studiuar astrologjinë për 20 vjet apo 20 minuta, gjithmonë do të ketë një audiencë të gatshme për ta dëgjuar. Me gjithë këto ngjarje të mëdha planetare që ndodhin vazhdimisht, njerëzit varen më shumë se kurrë nga përmbajtja astrologjike në internet. Por është e rëndësishme të mos harrojmë se çdo interpretim bëhet përmes këndvështrimit personal të individit që e shpërndan informacionin.
Në vend që të përhapin panik, astrologët mund të ndihmojnë njerëzit të shohin mundësitë e ndryshimit dhe rritjes. Një përmbajtje e shëndetshme astrologjike nuk duhet të përdorë fraza të frikshme si “kujdes” apo “diçka e keqe po vjen”, pasi këto krijojnë ankth dhe i shtyjnë njerëzit të angazhohen përmes frikës.
Një tjetër shenjë paralajmëruese është kur një përmbajtje fokusohet vetëm te ndodhitë negative, pa ofruar asnjë mënyrë për të përballuar situatën. Nëse një postim lë të kuptohet se fati juaj është i vulosur dhe nuk keni asnjë kontroll mbi të ardhmen, atëherë ky nuk është astrologji, por manipulim.
Si ta përdorim astrologjinë në mënyrë të shëndetshme?
Astrologjia nuk është një dënim, por një mjet për të kuptuar më mirë veten dhe botën përreth. Një mënyrë e shëndetshme për ta parë atë është si parashikimi i motit: nëse e dini që do të bjerë shi, mund të merrni një çadër. Por e keni gjithmonë ju në dorë nëse do të dilni apo do të qëndroni brenda.
Për të ruajtur një raport pozitiv me astrologjinë, është e rëndësishme të zgjidhni me kujdes se cilët influencues ndiqni dhe si ndiheni pas konsumimit të përmbajtjes së tyre. Nëse astrologjia po ju krijon më shumë stres sesa qetësi, ndoshta është koha për një shkëputje të vogël nga rrjetet sociale.
Një këshillë e vlefshme është të bëni pushime nga telefoni dhe të kaloni më shumë kohë në botën reale, për të mos humbur sensin e përvojave tuaja personale. Nëse ende ndiheni të shqetësuar pas një postimi astrologjik, thjesht dilni në natyrë, bëni diçka që ju lidh me trupin tuaj dhe mos lejoni që një parashikim i rastësishëm në internet të diktojë jetën tuaj.
Në fund të fundit, astrologjia është një mjet për të kuptuar më mirë energjinë përreth nesh dhe për të na ndihmuar të lundrojmë në sfidat e jetës me më shumë qartësi dhe vetëbesim. Yjet mund të tregojnë mundësi, por vendimet janë gjithmonë në duart tona.
Burime: Pop Sugar
Artikuj të sugjeruar: