Për mendimin tonë

Unpopular Opinion: Kam një fëmijë të preferuar (dhe tjetri e di)!

Shkruar nga Anabel

4 Shkurt 2025

Unpopular Opinion: Kam një fëmijë të preferuar (dhe tjetri e

Ju prezantojmë me rubrikën e re, Unpopular Opinion. Të gjitha kemi disa mendime që, nëse i themi me zë të lartë, na duket sikur do përfundojmë në burg. Jo sepse janë domosdoshmërisht të gabuara, por sepse janë…ndryshe. Nuk janë ato që shoqëria pret të dëgjojë, nuk janë të mbështetura nga masa dhe, mbi të gjitha, nuk janë të përshtatshme për t’u thënë në tavolinën e drekës me familjen. Këto janë ato mendime që i mbajmë për vete, i ndajmë vetëm me miqtë ose thjesht kafshojmë buzët për t’i mbajtur brenda. Unpopular opinions janë pikërisht ato mendime që shumica i konsideron të çuditshme, të guximshme ose thjesht të gabuara. Por jo çdo mendim që del jashtë rregullave është domosdoshmërisht i gabuar. Pra, ka ardhur koha të themi disa të vërteta jo aq të famshme. 

"Nëse do të merrja një monedhë për çdo herë që kam thënë “Unë i dua të dyja vajzat e mia njësoj,” do të kisha hapur një fondacion bamirësie për fëmijët më pak të preferuar. Por ja ku jam, ende duke thënë të njëjtën shprehje, të njëjtën përpjekje për të mohuar diçka që, në të vërtetë, është shumë e dukshme: unë kam një vajzë të preferuar!

Më besoni, kjo nuk ka ndodhur me qëllim. Ndoshta është thjesht çështje personaliteti - vajza ime e vogël është më e dashur, më e ëmbël, më shoqërore. Ajo më telefonon çdo ditë, qoftë edhe vetëm për të më pyetur si jam, më shkruan mesazhe të gjata për ditën e saj dhe nuk ka asnjë problem të më përqafojë në mes të rrugës, edhe kur është me shoqet. Më duket si një shoqe e vogël, si dikush që më kupton më mirë se kushdo. Ose ndoshta kjo lidhje e fortë ka ardhur nga fakti që ajo më ngjan shumë - në mënyrën si mendon, si flet, si sillet. Në njëfarë mënyre, e kam si një version të vogël të vetes sime.

Por më shumë se kaq, besoj se arsyeja kryesore është fakti që ajo ka qenë gjithmonë më e brishta. Që e vogël, është sëmurur më shpesh se e motra. Ka pasur imunitet të dobët dhe shpesh netët e mia kanë kaluar pranë saj nëpër spitale. Çdo herë që ajo kishte temperaturë të lartë, unë nuk dija ç’të bëja përveçse t’i rrija mbi kokë, me frikën e pashprehur që diçka më e keqe mund të ndodhte. Dhe çdo herë që shërohej, çdo herë që më shikonte me ata sytë e saj të mëdhenj dhe më buzëqeshte sikur të më thoshte “Mami, kaloi,” çdo lloj akulli brenda meje shkrihej. Besoj se, në mënyrë të pavetëdijshme, e kam trajtuar gjithmonë si më të brishtën, si atë që ka më shumë nevojë për mua, edhe kur në fakt ndoshta nuk është më ashtu.

Por kjo nuk do të thotë që nuk e dua vajzën time të madhe! Ajo është fantastike - e pavarur, e zgjuar, e suksesshme. Nuk ka nevojë për fjalë të ëmbla apo për përqafime të shpeshta. Nuk më telefonon aq shpesh, por kur e bën, është gjithmonë për gjëra konkrete. Dhe unë e admiroj për këtë (po tregoj të vërtetën). Por ndonjëherë…ndonjëherë në mënyrë të qartë ka një distancë mes nesh. Jo sepse nuk e dua, por sepse ajo nuk më lejon ta dua në të njëjtën mënyrë si të motrën. Ndoshta është vetja ime që nuk më lejon. Është si në shoqëri, mund t’i kesh punët mirë me shumë njerëz, por përherë me dikë do e kesh muhabetin më mirë.

E di që ajo e kupton këtë. E kupton kur unë qesh më natyrshëm me të motrën e saj. E shikon kur unë pa vetëdije kërkoj mendimin e së voglës për gjëra të vogla. Dhe ndonjëherë ndihem në faj. Mendoj nëse ndonjëherë e kam bërë të ndihet më pak e rëndësishme, më pak e afërt. Por pastaj e shoh se si ajo është rritur: më e fortë, më e sigurt në vetvete, më e pavarur. Ajo është e para në çdo fushë që provon, ndërsa me vajzën e vogël ndodh e kundërta, por çdo herë jam më e lumtur për përpjekjet e saj se për sukseset e vajzës së madhe.

Nejse, e di që, pavarësisht gjithçkaje, dashuria ime është aty, edhe kur nuk shprehet njësoj.

Pra, a kam një vajzë të preferuar? Po. A i dua të dyja? Gjithmonë." - shkruar për Anabel.al nga një grua anonime dhe një mama e sinqertë.

Shënim: Artikulli është përshtatur nga redaksia për qëllime editoriale dhe qartësie. Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.