Një debat i ashpër mes Jozit dhe Gjestit menjëherë pas përfundimit të spektaklit të së martës në “Big Brother VIP Albania” përfundoi me ofendime të rënda, duke sjellë vendimin e menjëhershëm të “Vëllait të Madh” për përjashtimin e Jozit nga gara.
Top Channel ka kontaktuar me menaxherët e Gjestit, të cilët shprehën shqetësimin e familjes së tij pas kësaj ngjarjeje. Ata e cilësuan deklaratën e Jozit si një fyerje të rëndë dhe të papranueshme, duke theksuar se familjarët e Gjestit janë prekur thellë nga kjo situatë.
Sipas grupit menaxhues të Gjestit, komentet e Jozit nuk kanë prekur vetëm atë personalisht, por edhe shumë qytetarë të Kosovës.
“Të etiketosh një qytetar të Kosovës me atë fjali që nuk na e nxe as goja, është një nga fyerjet më të mëdha që mund t’i bësh. Është denigruese dhe e dhimbshme,” u shprehën ata.
Gjatë debatit, Gjesti përmendi disa herë babanë e tij, duke theksuar:
“Nuk dua ta dëgjojë, do të mërzitet, ai ka luftuar dhe ka humbur vëllanë në luftë.” Babai i tij, një veteran lufte, është prekur thellë nga kjo situatë.
Si e priti familja e Gjestit përjashtimin e Jozit?
Vendimi për përjashtimin e menjëhershëm të Jozit është pritur pozitivisht nga familja e Gjestit.
“Të lumtur që produksioni mori masa të menjëhershme!” deklaruan ata për Top Channel.
Në lidhje me një mesazh për Jozin, familja e Gjestit u shpreh se nuk e falin këtë fyerje dhe kërkojnë më shumë respekt.
“Të gjithë mund të kenë debate dhe mospajtime brenda një loje, por askush nuk ka të drejtë të prekë plagë që ende nuk janë shëruar. Shpresojmë që si shoqëri të mësojmë të respektojmë njeri-tjetrin, sepse gjaku që është derdhur mbi këtë komb nuk bën dallime mes nesh,” përfunduan ata.
Ky incident ka hapur një debat të gjerë mbi kufijtë e etikës brenda një loje si “Big Brother VIP” dhe përgjegjësinë e secilit për fjalët që thotë, sidomos kur ato prekin ndjeshmëri kaq të mëdha.
Artikuj të sugjeruar: