Shënim: Ky artikull pasqyron një qëndrim personal dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht opinionin apo linjën editoriale të Anabel.
“Në kundërshtim me një artikull të lexuar mbrëmë në Anabel (artikulli: Unpopular Opinion: Egli nuk është problemi në raport me Gjestin), Egli po, është “problemi” në marrëdhënien me Gjestin. Por jo për arsyet që thonë të gjithë – që është e ngjitur, posesive etj. (okay, edhe pak për këto, por nejse). Egli është problemi në atë marrëdhënie sepse dëshiron të luajë një lojë në Big Brother, të cilën natyra e saj nuk ia lejon.
Fillojmë nga fillimi. Egli shpreh interes për Gjestin që në fillim – pak e çuditshme për dikë që thoshte: “Unë s’kam ardhur për t’u lidhur këtu dhe nuk dua të më përflitet emri për këtë gjë.” Dhe e çuditshmja nuk qëndron te fakti që pëlqeu dikë, por që e shprehu aq shpejt, kur ishte kategorikisht kundër një lidhjeje në Big Brother. Për të qenë koherente, duhet ta kishte përpunuar pak më parë me veten e saj dhe pastaj ta shprehte.
Nejse, e tha goca, se normalisht – si mund t’i rezistosh sharmit të Kingit? U kry çdo gjë!
Vazhdojmë me faktin që Egli ishte vajza e cila e la Olsi Bylykyn të priste për 8 muaj përpara se të krijonin diçka. (Shën.red. Nëpër intervista të mëparshme, Olsi Bylyku është shprehur se “ka ndenjur 8 muaj pas saj” para se të lidheshin). Paradoksale po ta krahasojmë me këtë situatë. Pikërisht këtu dështon Egli me lojën e saj, sepse kur ke ndjenja për dikë që vërtet do ta bësh pjesë të jetës tënde – dhe ai deri diku ka diçka për ty, por jo në të njëjtin nivel – ti e pret që ai të vijë aty ku je ti. Ti nuk i bën presion të vazhdueshëm, as fizik dhe as psikologjik, për të krijuar një lidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Ti tregon durim nëse vërtet e do (mbi të gjitha, e ke aty 24/7, s’ka ku shkon).
Pikërisht siç u tregua Luizi i durueshëm në lidhje me Kiarën (meqë u krahasua në artikullin e mëparshëm) në fillimet e tyre. Që të jemi të qartë, nuk jam aspak fanse e Luizit si personazh, por kurrsesi nuk ka lidhje qasja e tij në bërjen për vete të Kiarës me Eglin, e cila vetë përfshihet, vetë premton, vetë zhgënjehet dhe vetë viktimizohet. Por Egli nuk arrin dot ta bëjë këtë gjë, pra të tregohet e durueshme si Luizi, sepse:
1. Dashuria për Gjestin nuk është aq e madhe sa ajo thotë, dhe
2. Del në pah natyra e saj aspak e durueshme, tejmase posesive, që nuk ndjek dot skemat që ka krijuar në kokë.
Një vajzë e lënduar dhe e zhgënjyer (nga ajo që pamë mbrëmë) nuk do ta kishte mendjen t’i bënte lavde Gjestit si lojtar dhe të thoshte që nuk do t’i shkonte kurrë kundër. Por një lojtare që i frikësohet Gjestit në lojë, e bën këtë gjë.
Përfundimi është që Egli thjesht do të jetë “It Girl” i këtij sezoni, por mendoj se duhet t’i kishte bërë më mirë llogaritë. Sepse me këtë rrugë që po ndjek…s’ka puls.” – shkruar nga një ndjekëse e rregullt e Anabel.
Shënim: Artikulli është përshtatur nga redaksia për qëllime editoriale dhe qartësie. Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.