Anabelizim

Mes nesh: Të tregoj pse jam mirënjohëse që ai më la për Shën Valentin

Shkruar nga Anabel

14 Shkurt 2025

Mes nesh: Të tregoj pse jam mirënjohëse që ai më la

A je personazhi kryesor në jetën tënde apo figuranti që nuk e mban mend askush në fund të filmit? Nëse je ndjerë si ky i fundit herë pas here, të japim mundësinë ta ndryshosh këtë fakt. Në “Mes nesh”, ti mund të ndash mendimet e tua më të sinqerta, të sigurojmë një ambient 0 gjykues ku ti mund të shprehesh për gjërat që ndjen aq shumë se duhet t’i ndash me dikë, sidomos kur të duket se askush nuk të kupton, apo interesohet për detajet e përditshmërisë tënde.

Të vodhën biçikletën mes qytetit dhe kishe shumë turp të ndiqje hajdutin nga mbrapa? Na intereson! Të tha i dashuri “Të dua” për herë të parë, po ty s’po të vinte t’ia ktheje mbrapsht? Na intereson! Të pëlqen herë pas here ta teprosh me alkoolin dhe të bësh prapësira vetëm për të shtuar pak adrenalinë në jetën tënde? Na intereson! E rëndësishme është që ti po bën diçka në jetë dhe ne jemi gjithë sy e veshë për t’i dhënë rëndësinë e duhur historisë tënde. :)

Mes nesh: Të tregoj pse jam mirënjohëse që ai më la

Të tregoj pse jam mirënjohëse që ai më la për Shën Valentin

"Ndoshta gjëja e fundit që pret në ditën më romantike të vitit nga dashuria e jetës tënde është të të shohë në kokërr të syrit dhe të të thotë se “kjo gjëja s’po ecën”. Mua më ndodhi.

I dashuri i parë fare që kam pasur u nda nga unë Shën Valentinin e dytë së bashku. Erdhi në mëngjes poshtë pallatit tim, me ca trëndafila që dukej që i kishte marrë në minutën e fundit te dyqani ngjitur. Edhe lulet dukeshin të trishtuara me petalet e vyshkura, njëlloj si shprehja në fytyrën e atij kur e futa me entuziazëm në dhomë.

Ai u ul te krevati im dhe unë po rrija në këmbë se e kuptova që diçka nuk shkonte dhe kur diçka nuk shkon, më pëlqen të rri në këmbë. Më duket sikur i përpunoj më mirë emocionet, sikur energjia më rrjedh nëpër gjithë trupin, në vend që të më dalë nga sytë dhe hunda në formën e lotëve rrëke dhe qurreve (mbajeni parasysh nëse ndodheni në të njëjten situatë hahaha).

Brenda pesë minutave, nga të qenit çmendurisht të dashuruar, ne bëmë hapin e parë për t'u bërë përgjithmonë të huaj. Më tha se nuk më donte më. Më tha pa pikën e turpit se kishte një vajzë tjetër. Tha pastaj se donte të priste për t'u ndarë deri pas ditës së Shën Valentinit, por në fund mendoi se “për t’u bërë ishte gjithsesi, kështu që pse të mos e hiqte qafe si punë”.

S'doja t’ia jepja kurrë privilegjin e skenës së "fundit të trishtuar të një historie dashurie" dhe i kërkova të më zhdukej nga dhoma. Si 19-vjeçare dramatike, i thashë të m’i linte lulet aty ama. Trëndafilat i mbaj mend si tani, ishin portokalli dhe të verdhë dhe po më ngushëllonte mënyra si i kishin varur kokat.

U ndjeva tmerrshëm 2-3 javët e para, por çuditërisht nuk më zgjati shumë si ndjenjë. Muaj pas ndarjes, e kthyem në temë bisede plot humor kur dilja për kafe me shoqërinë. Qartësisht, tani jam e lumtur me të fejuarin tim dhe ish-it të parë as fytyrën s’e di a do ia njihja po t'ia shihja sot në rrugë, po i jam shumë mirënjohëse se pas asaj lënieje që më bëri, ndihem sikur mësova shumë.

S’e di a ishte mosha, apo rrethanat e tjera, po ndihem sikur ish-i i parë ma ndryshoi komplet mënyrën si e shihja 14 shkurtin më mbrapa. Dhe jo për keq në fakt! Pas tij, s’kam kaluar asnjë Shën Valentin vetëm, dilja qoftë me miq, qoftë me mamin dhe shpenzonim pak kohë cilësore.

Plus, sado që s’e përjetova aq keq ndarjen, mos të them që më dha një lloj çlirimi fare, u bëra shumë vigjilente ndaj sinjaleve të hershme nëse do më ecte apo jo me çunat e tjerë në vazhdim. Të dashurin tim të asaj kohe duhet ta lusje të dilte me shoqërinë time, fillonte ulëriste po t’i prekja telefonin dhe kishim mall të bënim ndonjë plan, se i anullonte gjithmonë me një mijë e një pretekste. Patjetër që dhe atëherë s’më dukeshin ok këto veprime, po isha aq naive dhe më dukej sikur do shembej bota po t’i kërkoja të ndaheshim.

Po një nga mësimet më të mëdha dhe më të mira që mësova nga ajo ditë o vazja është se më 14 shkurt, pavarësisht se me kë jeni apo çfarë keni ndërmend të bëni atë ditë, duhet të bëni diçka për veten tuaj. Dilni për ndonjë trajtim, shkoni të hani një darkë, bëni thonjtë, dilni për pazar.

E di që është bërë shumë klishe kjo shprehja që duhet të duash veten (dhe unë që kam plane me të fejuarin për sot s'jam njeriu më i mirë për ta thënë këtë :p) po, cilado qoftë ideja juaj për dashurinë ndaj vetes, sigurohuni që të investoni aty, se sa për burra, s’do mbetet grua shqiptare beqare ju premtoj hahaha. Thjesht jetoni jetën tuaj dhe do e shihni që mundësitë do e prezantojnë vetë veten, byeee <3."

Shënim: Artikulli është përshtatur nga redaksia për qëllime editoriale dhe qartësie. Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.