Ju prezantojmë me rubrikën e re, Unpopular Opinion. Të gjitha kemi disa mendime që, nëse i themi me zë të lartë, na duket sikur do përfundojmë në burg. Jo sepse janë domosdoshmërisht të gabuara, por sepse janë…ndryshe. Nuk janë ato që shoqëria pret të dëgjojë, nuk janë të mbështetura nga masa dhe, mbi të gjitha, nuk janë të përshtatshme për t’u thënë në tavolinën e drekës me familjen. Këto janë ato mendime që i mbajmë për vete, i ndajmë vetëm me miqtë ose thjesht kafshojmë buzët për t’i mbajtur brenda. Unpopular opinions janë pikërisht ato mendime që shumica i konsideron të çuditshme, të guximshme ose thjesht të gabuara. Por jo çdo mendim që del jashtë rregullave është domosdoshmërisht i gabuar. Pra, ka ardhur koha të themi disa të vërteta jo aq të famshme.
"Nuk e di nëse ju ka ndodhur ndonjëherë, por unë pata një moment të vështirë si shoqe. Një ditë, shoqja ime më e mirë u shfaq me flokë bionde - jo ato biondet si dielli i artë apo si nuancat e mjaltit që sheh në reklamat e shampos, por një e ngjyrë tulle që më kujtonte më shumë murin e lagjes. Dhe buzëqeshja e saj? E sigurt, pritëse, sikur po më sfidonte të gjeja fjalët e duhura.
Në ato sekonda, ndjeva barrën më të madhe të miqësisë mbi shpatullat e mia: të jem një shoqe e mirë apo një shoqe e sinqertë? Dhe e them hapur, frika nga shkatërrimi i entuziazmit të saj më bëri të zgjedh opsionin e parë. “Ooo sa ndryshe dukesh!” - thashë me zë të lartë, ndërsa brenda vetes më vinte të ulërija: “Pse nuk u konsultove me mua përpara?!”
E vërteta është që flokët e saj më flisnin. Më kërkonin ndihmë, më dukej sikur po më luteshin për mëshirë: “Na tonifiko, të lutem!” Por ajo nuk i dëgjonte. Ajo ishte krenare, e lumtur, e bindur se kishte bërë zgjedhjen e duhur. Ndërsa unë? Unë ndenja aty, duke u përpjekur të bind veten se ndoshta ishte vetëm çështje kohe derisa të mësoheshim me këtë pamje të re.
Dy javë më vonë, flokët e saj ishin bërë një nuancë mes të verdhës së kanarinës dhe portokallisë. Dhe unë u gjenda para një sfide tjetër: Si t’i sugjeroja një shampo lejla pa e ofenduar?
“E ke provuar ndonjëherë ato shampon me pigment të lehtë? Kam dëgjuar që i bën mrekulli flokëve të hapur!” - ishte përpjekja ime më e butë për të ndihmuar situatën.
Ajo m’u përgjigj e sigurt: “Jo, jo, më pëlqen kështu, është fiks siç e doja!”
Në atë moment e kuptova: nuk është se kisha ndonjë problem me biondet. Kur ngjyra është e bërë siç duhet, mund të jetë një kryevepër estetike! Mendoj se ka diçka që duhet ta pranojmë të gjithë, jo çdo vajzë është bërë për të qenë bionde. Disa duken më të zbehta, disa humbasin shkëlqimin natyral, disa… duken sikur kanë marrë një vendim të nxituar gjatë një krize ekzistenciale.
Unë për vete jam bionde dhe mendoj se më shkojnë, pasi kam ditur si të kujdesem për to, por nuk e sugjeroj kurrë tek të tjerët. Dhe për të mos folur për torturën që vjen më pas: zbardhuesi që djeg skalpin, rrënjët që dalin çdo dy javë, mirëmbajtja e shtrenjtë dhe ankthi që një ditë, ajo biondja ëndërrimtare do të shndërrohet në një ngjyrë të çuditshme, të paidentifikueshme.
Ndaj, nëse ndonjëherë shoqja jote të pyet: “Si mendon, t’i hap flokët?”, mos bëj si unë. Mos thuaj thjesht “Pse jo!”. Merr frymë thellë dhe bëji vetes pyetjen e vetme që ka rëndësi: 'A je e gatshme të gënjesh çdo ditë të jetës?'" - shkruar për Anabel nga një bionde e sinqertë.
Shënim: Artikulli është përshtatur nga redaksia për qëllime editoriale dhe qartësie. Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.