Birkenstock: ndër sandalet më të preferuara në verë, të rehatshme dhe shumë gjermane. Ndonjëherë duken elegante, ndonjëherë të thjeshta. Por a mund të konsiderohen këto sandale si vepra arti?
Gjykata Federale e Drejtësisë në Gjermani vendosi që sandalet e Birkenstock janë thjesht këpucë të rehatshme dhe nuk mund të mbrohen me të drejta autori si vepra arti.
Birkenstock, me seli në Linz am Rhein, Gjermani, dhe me një traditë prodhimi që daton që nga viti 1774, paditi tre konkurrentë që prodhonin sandale të ngjashme, duke argumentuar se modeli i tyre ishte një "vepër arti e aplikuar" dhe nuk mund të kopjohej.
Shën.red. "Vepër arti e aplikuar" është një vepër që kombinon elemente artistike me funksionin praktik. Ndryshe nga arti i pastër (si piktura apo skulptura), arti i aplikuar përfshin objekte të krijuara për përdorim të përditshëm, por që kanë edhe një vlerë estetike ose kreative.
Fillimisht, një gjykatë në Këln pranoi kërkesën e Birkenstock, por gjykata më e lartë e hodhi poshtë vendimin, duke deklaruar se modeli i sandaleve nuk përmban ndonjë vlerë artistike.
Gjykata argumentoi se një produkt nuk mund të mbrohet me të drejta autori nëse dizajni i tij përcaktohet nga faktorë teknikë dhe funksionalë. Për një vepër arti të aplikuar, dizajni duhet të tregojë individualitet.
Burimi: CNN