Nëse një ditë të bukur do të ngrihej pyetja: “Çfarë e bën një person ‘cool’?”, cila do të ishte përgjigjja? Intelekti? Humori? Mos ndoshta eleganca në mënyrën sesi përballon situatat? Apo zhdërvjelltësia e të menduarit dhe lehtësia për të bërë ironi të këndshme? Madje, për hir të së vërtetës, edhe të gjitha këto bashkë nuk do të ishin aspak keq për dikë pranueshëm “cool”. Ndërkohë që në paqartësitë e etiketimeve subjektive e të vetëshpallura, termi “cool” është i destinuar të marrë një dozë të re origjinaliteti.
Kështu lindi frymëzimi i një emri, që do të nënkuptonte konceptin dhe filozofinë e këtij emisioni: “Jo Veç Kullera” është asgjë më pak e shumë më shumë se një tentativë naive dhe krenare e tre djemve të rinj për të sfiduar emisionet groteske dhe paragjykimet patetike ndaj 20-e pak-vjeçarëve që guxojnë të flasin pa komplekse përballë kamerave dhe të ftuarve.
Përshëndetje nga ata!
Eno

Foto: Ina Omuri
Ka humbje të herëpashershme përqendrimi, por jo dëgjimi (se as dëgjon fareeee). Mundohet gjithmonë të jetë i veçantë në atë që bën (dhe që nuk bën…). I duket pak sikur bota rrotullohet rreth tij. Është paaaaak i përkëdhelur, por edhe shumë me këmbë në tokë. Ka qejf të ngacmojë, por asnjëherë me të keq. Kur njihet më mirë, kuptohet që e ka zemrën e mirë dhe që bëhet copash për njerëzit.
Fjalët që përdor më shumë: “A kupto?”; “A ngjon?”
“Jam me detyrim paraqitje.”- Eno.
Salioni

Foto: Ina Omuri
Flet (ndonjëherë :p) me vend dhe është pothuajse gjithmonë korrekt në atë që thotë. Është i qetë, i pjekur dhe fjalëpak. Nëse e mërzit, ndoshta dhe s’të flet fare. Ndonjëherë mendon më shumë seç duhet për atë që do të thotë, aq sa e bën paksa të dukshme sikur ka probleme me artikulimin, por në fakt, pas fytyrës simpatike fshihet thjesht një djalë i ndrojtur me disa grimca të pafajshme pasigurie. Megjithatë, për ata që e paragjykojnë, do të ishte më e drejtë një sfidë për ta njohur më mirë, sepse me të gjitha gjasat do t’iu befasonte me vlerat dhe historitë e tij.
Fjalët që përdor më shumë: “O çuna, a t’iua boj i pytje?” dhe “Ça je tu thon o G?”
“Konfidenca shpeshherë është e heshtur.” - Salion
Tomas

Foto: Ina Omuri
Elokuent, guximtar dhe shumë jashtë kornize. Është mendjehapur dhe i çmendur në natyrën e tij të padëmshme. Therrës në ironi dhe me një humor mëse të lezetshëm. Karizma e lejon që të marrë vëmendje, edhe pse ndonjëherë duket si i pamotivuar. I ndjeshëm, por emocionalisht i pamanipulueshëm. E ka paaaak kompleks faktin që rezultoi muzikant i “lodhur”, por e rregullon me talentin në aktrim. Që të bëhet me nerva, mjafton t’i thuhet: “Booo, si nuk u dobësove iher!”.
Fjalët që përdor më shumë: “Këtu nuk jam dakord me ty” dhe “Aaaa këtu të jap dorën.”
“Kjo ishte dhe puntata jonë për sot.” - Tomas.
Top 5 momentet
1. Kur DJ Aldo shpjegoi pse Blloku nuk është më “Blloku”!
2. Kur Salioni la bixhozin dhe Zhaku la Enon me buzëqeshje të ngrirë.
3. Ja pse e lanë çunat barin!
4. Alkooli dhe jeta!
5. 30 vjeç dhe jeton me mamin…
Çfarë vjen më pas?
Temat janë të paprotokolluara. Bisedat janë të padëgjuara. Të ftuarit janë të pacensuruar. Ky është një podcast ndryshe, me tre çuna të zakonshëm po aq sa edhe ndryshe, që nuk druhen të shfaqin ngjyrat e vërteta të jetës. “Jo Veç Kullera” është vendi ku diskutimet janë gjithmonë të zhveshura nga kornizat e shoqërisë dhe intervistat serviren në mënyrën më të çiltër të mundshme.
Nëse nuk tërheqin më bisedat e mërzitshme me kolegun gjatë orarit të drekës dhe rruga e gjatë me autobus për në shtëpi duket e pafundme, ndoshta është momenti për të vënë kufjet (ose jo), për të shtypur play në Spotify ose YouTube dhe për t’i dhënë vetes një shans për të shijuar më shumë rrugën dhe jetën në vetvete. Në fund të fundit, jeta është e bukur, sidomos kur ka një emision kaq të lezetshëm, ku të gjithë e gjejnë veten. Dakord, ndoshta jo të gjithë. Por fundja, jo të gjithë janë jo veç kullera!
Duhet t’i shohësh patjetër!
Nëse ka ndonjë sugjerim për të ftuarin e radhës në “Jo Veç Kullera” dhe ndonjë pyetje shumë specifike për të, mund të dërgohet një mesazh në faqen zyrtare në Instagram. Madje, për ata që dëshirojnë të marrin pjesë vetë me anë të një telefonate ose si të ftuar, dera është gjithmonë e hapur! Rëndësi ka vetëm të mos jenë veç… JEPI, THUAJE VET tani!