Art & Libra

Sugjerimi i Anabel: “Përroi i korbave”, një histori magjike për fuqinë e grave

Shkruar nga Anabel

28 Shkurt 2025

Sugjerimi i Anabel: “Përroi i korbave”, një histori

Grave duket se u është dhënë detyra e vështirë si mbartëse të moralit të gjithë shoqërisë. Ky është një nga mesazhet që merr kur lexon “Përroi i korbave”, një rrëfim drithërues për fuqinë e gruas dhe fuqinë e natyrës, i cili trajton trekëndëshin: grua, natyrë, liri, nëpërmjet rrëfimeve të tri grave të jashtëzakonshme të ndara nga pesë shekuj.

Ky libër është një himn për gratë që sfidojnë normat shoqërore, një tregim i ndjeshëm për trashëgiminë e dhuntive, fuqinë që buron nga lidhja me të shkuarën dhe përballja me identitetin.

Sugjerimi i Anabel: “Përroi i korbave”, një histori

Romani zhvillohet në tri kohë:

1619: Alta njeh sekretin e bimëve, dhunti që në familje ka kaluar brez pas brezi. Shumë fshatarë shkojnë tek ajo për ndihmë, mirëpo kur njëri prej tyre humbet jetën pasi goditet nga bagëtia, të gjithë e drejtojnë gishtin nga ajo dhe e akuzojnë për magji.

1942: Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, Violeta bllokohet në pronën e madhe të familjes. E ndrydhur nga normat e shoqërisë, ajo digjet nga dëshira për të studiuar si i vëllai, por edhe nga mendimet për nënën, e cila ka ndërruar jetë prej kohësh. Përflitet se gati-gati ishte çmendur para vdekjes. 

2019: Keti largohet nga Londra për t’u strehuar në shtëpizën e trashëguar nga halla. E mbuluar nga lule kacavjerrëse dhe me një kopsht të mbingarkuar, ajo kthehet në një Parajsë për ta mbrojtur Ketin nga bashkëshorti abuziv. E megjithatë, Keti ndien se shtëpiza mbart një sekret…

Secila histori pasqyron luftën e përhershme të grave, të cilat kufizojnë fuqinë dhe dëshirat e tyre, vetëm sepse shoqëria i etiketon si të çuditshme, të pamoralshme e më të fuqishme seç duhet të jenë. Pavarësisht nga koha e gjatë që i ndan, ato sërish paragjykohen, përçmohen dhe menjëherë vendosen në bankën e të akuzuarve.

Proza e veçantë, ndërthurja e historisë me realizmin magjik, personazhet e ndërtuara në mënyrë të përsosur dhe elementet e natyrës, të bëjnë të udhëtosh në kohë e të falin një lexim sa drithërues e të rëndë, aq edhe të paqtë e shpresëdhënës.

Sugjerimi i Anabel: “Përroi i korbave”, një histori

Pak fjalë për autoren

Emilia Hart është një autore britanike e njohur për stilin e veçantë të rrëfimit emocional dhe të thellë, shpesh duke u përqendruar te marrëdhëniet njerëzore, identiteti dhe lufta për të gjetur vendin ku përket. Ajo u bë e njohur me romanin e saj të parë, “Përroi i korbave”, një histori komplekse dhe personazhe të ndërtuara deri në detaje.

Përmes stilit të veçantë, ajo eksploron tema të ndjeshme, siç është sfida e të qenit ndryshe në një shoqëri që shpesh nuk pranon dhe nuk kupton. Emilia Hart përpiqet të theksojë aspektet më të errëta të jetës, duke i ofruar lexuesit një mundësi për të reflektuar mbi realitetin dhe sfidat e jetës së përditshme.

Pena e saj ka tërhequr vëmendjen e kritikëve, për thellësinë dhe ndjeshmërinë që përcjell me mjeshtëri dhe vazhdon të jetë një zë i rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore.

Pasazhe nga libri

1) Më mbanin atje prej dhjetë ditësh. Plot dhjetë ditë, vetëm në shoqërinë e kundërmimit të trupit tim. As një mi i qelbur nuk denjoi të më afrohej. E përse të vinte? Aty nuk kishte asgjë që ta tërhiqte. Nuk më kishin sjellë asnjë kafshatë bukë, vetëm birrë të ngrohtë. U dëgjuan hapa, pastaj tingulli i çjerrë e i ftohtë i shulit prej hekuri që lëvizi. Drita më vrau sytë. Për një çast, burrat ndaluan në pragun e derës dhe vezulluan si të mos ishin qenie të kësaj bote dhe kishin ardhur të më merrnin. Të dërguarit e prokurorit. Kishin ardhur për të më çuar në sallën e gjyqit.

2) Prokurori u ngrit nga karrigia dhe eci drejt stolit të gjatë ku qe ulur juria. Hapat e tij të rëndë më kallën datën. Para se ai të niste fjalimin, në sallë pllakosi një heshtje e tmerrshme. Përpos të gjithave, nuk isha përgatitur për lemerinë e fjalëve të tij. Sytë e tij të zbehtë lëshonin flakë teksa më quante “shtrigë të rrezikshme e të ligë, skllave të vetë djallit”.

3) Mori varësen dhe sa po bëhej gati që ta vinte komodinën ne vend, diç i zunë sytë. Në murin pas komodinës dallohej germa “U”, e njëjtë me atë të gdhendur në varësen që kishte në pëllëmbë. Kur largoi pluhurin me kujdes, dolën në pah shkronja të tjera, që dukeshin sikur ishin gërvishtur me ndonjë kunj ose... me thua. U drodh nga ai mendim. Shkronjat formonin një fjalë të panjohur, të cilën ndonëse nuk e kishte hasur ndonjëherë, i jepte ndjesinë e një mikeshe të humbur kohë më parë. Uejuord!

4) Sheh fotografinë e vogël bardhezi të vajzës me flokë të zinj e me onde, sy të mëdhenj dhe një nishan ne ballë. Seç ka diçka të njohur tek ajo. Është hera e parë që Keti shikon fotografinë e hallës së babit dhe rrëqethet e tëra, sepse.. hallë Violeta duket krejt si ajo vetë.